Anëtarët e KPK u janë drejtuar me një letër qeverisë dhe Kuvendit, ku kërkojnë që të mos mbeten pa punë në fund të vitit...
Komisionerët e organeve të vetingut dhe këshilltarët e tyre i ka kapur halli. Në fund të këtij viti mbyllet procesi i rivlerësimit dhe do të shkrihet Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. (Ky i fundit duhej të ishte shkrirë që dy vite më parë, por afatet u zgjatën deri në fund të vitit 2024).
Por edhe pse duhet dhe një vit derisa puna të mbyllet, komisionerët janë hedhur në sulm për të kapur ndonjë vend tjetër pune.
Anëtarët e KPK i janë drejtuar me një letër kryeministrit, Edi Rama, kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, ambasadave të SHBA-BE dhe Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ku u kërkojnë që të mos i lënë pa punë.
Por deri këtu nuk ka asnjë problem. Interesantja është se anëtarët e KPK kërkojnë që të katapultohen në gjyqësor dhe madje deri në nivelin më të lartë. Ata pretendojnë se kanë status të njëjtë me anëtarët e Gjykatës së Lartë.
“Duke qenë se viti 2024 është viti i fundit i mandatit tonë, shqetësim mbetet mungesa e rregullimit ligjor të statusit të komisionerëve pas mbarimit të këtij mandati, çka sjell pasiguri juridike dhe asnjë garanci ligjore personale të anëtarëve të këtyre institucioneve kushtetuese. sikurse Kushtetuta ua njeh gjatë ushtrimit të detyrës, duke i barasvlerësuar në status me anëtarin e Gjykatës së Lartë. Dëshirojmë të risjellim në vëmendjen tuaj se këtë qendrim zyrtar, Komisioni ua ka bërë të njohur edhe në mars të këtij viti, së bashku me Institucionin e Komisionerëve Publikë të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, e kemi përcjellë si një qendrim të unifikuar mes KPK-së dhe Institucionit të Komisionerëve Publikë, pasi mandati i anëtarëve të këtyre dy institucioneve përfundon njëkohësisht më 31.12.2024”, thuhet në letër, e cila shoqërohet me disa propozime ligjore.

Anëtarët kanë bërë propozime ligjore si për veten e tyre, ashtu dhe për këshilltarët ligjore që i kanë asistuar këto vite. Në fund të letrës kërkojnë që të merren parasysh propozimet e tyre.
“Duke iu përmbajtur kërkesave që u janë parashtruar edhe më herët nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, që prej vitit 2019-2021, në frymën e bashkëpunimit institucional, lutemi gjeni bashkëlidhur kësaj shkrese një relacion të gjerë e të argumentuar për ndryshimet ligjore që propozojmë të iniciohen nga organet kompetente dhe ligjvënëse, pjesë e kalendarit të projekteve të vitit 2024 të Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit të Ministrave dhe të Kuvendit të Shqipërisë, ndryshime te cilat synojnë garantimin e statusit të komisionerëve, të këshilltarëve të njësisë ligjore dhe të stafit administrativ të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Me besimin se kërkesat tona legjitime do të gjejnë mbështetje, me lejoni që, në emër të të gjithë anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit t'u shpreh gjithë vullnetin tonë për të siguruar finalizimin me sukses të këtij procesi historik për konsolidimin e Shtetit të së Drejtës në vendin tonë dhe rikthimin e besimit të publikut tek institucionet e reja të drejtësisë”, vijohet më tej në letrën e siguruar nga "Pamfleti".
Sa i takon këshilltarëve ligjorë, kërkohet që ata të kalojnë në Byronë Kombëtare të Hetimit. Sipas tyre, ata kanë eksperiencën dhe aftësinë që të ushtrojnë këtë rol.
“Në vijim të analizës së mësipërme, të eksperiencës profesionale dhe natyrës së veçantë të punës së kryer nga këshilltarët e Njësisë së Shërbimit Ligjor pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, vlerësohet se ky kontingjent mund të përfshihet natyrshëm dhe të ofrojë ekspertizën e përfituar edhe pranë institucioneve që luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar, si Byroja Kombëtare e Hetimit. Për këtë qëllim propozohet që këshilltarët, të cilët kanë një eksperiencë pune në këtë pozicion për më shumë se 4 (katër) vite, me pëlqimin e tyre të emërohen si hetues pranë Byrosë Kombëtare të Hetimit”, thuhet në propozimin ligjor.
Pra duket pak e pazakontë. Komisionerët janë ata që vendosën se kush rri dhe kush ikën nga gjyqësori dhe vetë duan që të futen në sistem dhe të punojnë me ata që i kualifikuan në detyrë. Edhe këshilltarët nga juristë të thjeshtë, tani duan të shkojnë te BKH-ja, ndonëse për t'u futur në këtë organ janë zhvilluar shumë konkurse dhe anëtarët aktualë kanë kaluar shumë teste, madje dhe poligrafin. /Pamfleti
Lini një Përgjigje