
SPAK ka regjistruar procedimin penal për dosjen e 21 janarit, ku gjatë protestës së asaj kohe u vranë 4 qytetarë të pafajshëm.
SPAK ka ngushtuar lakun për ish-kryeministrin Sali Berisha dhe Lulzim Bashën, teksa ka nisur hetimet për dosjen e 21 janarit ku u vranë 4 persona.
Procedimi i regjistruar nga Prokuroria e Posaçme, ka nisur për vrasjen e Aleks Nikës si dhe plagosjen e shtetasve Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa.
Ky hetim do të zbardhë rolin e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe ish-ministrit të brendshëm në atë kohë, Lulzim Basha, pasi sipas vendimit të arsyetuar Gjykata e Lartë thotë se SPAK është i detyruar të zbardhë përgjegjësitë e Sali Berishës, Lulzim Basha, Ndrea Prendit e të tjerëve për vrasjen e 4 personave të pafajshëm në bulevard, për të cilën nuk është verifikuar në asnjë rast roli i drejtuesve shtetërore.
Sipas njoftimit, SPAK bën me dije se më datë 15 korrik 2024 është regjistruar nisja e hetimeve për 3 vepra penale:
“Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e kryer në bashkëpunim, kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave,
“Shpërdorim i detyrës”, e kryer në bashkëpunim dhe
“Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, e kryer në bashkëpunim.
Hetimet për 21 janarin 2011 nisin pas kërkesës së familjarëve të Aleks Nikës në Gjykatën e Lartë. Familja e Nikës prej më shumë se një dekade kërkon drejtësi për vrasjen e djalit të tyre dhe tashmë SPAK pritet të zbardhë të vërtetën e asaj ngjarje dhe rolin e kupolës më të lartë shtetërore.
Kujtojmë se gjykata ndërkombëtare e Strasburgut për të Drejtat e Njeriut, më 14 nëntor 2023 e vlerësoi '21 janarin' krim shtetëror dhe që duhet hetuar si i tillë. Strasburgu urdhëroi nxjerrjen e përgjegjësve të vërtetë, ata që urdhëruan gardën të qëllojë me armë ndaj turmës së protestuesve.
Më 21 janar 2011 mbetën të vrarë Ziver Veizi, Aleks Nika, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj. Deri tani nuk janë zbardhur ende se kush vrau Hekuran Dedën dhe Aleks Nikën.
Njoftimi i SPAK:
Nisur nga interesimi i vazhduar i medias dhe publikut njofotjmë se, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në datën 15.07.2024 ka regjistruar procedimin penal nr.138, të vitit 2024, për veprat penale:
“Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e kryer në bashkëpunim, kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, e parashikuar nga neni 79 gërmat “dh” dhe “ë”, si dhe 25 të Kodit Penal.
“Shpërdorim i detyrës”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal;
“Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 301 dhe 25 të Kodit Penal.
Ky procedim penal është regjistruar në lidhje me ngjarjen e datës 21.01.2011, të ndodhur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në Tiranë, ku gjatë një mitingu të organizuar nga opozita politike e asaj kohe përpara Kryeministrisë, është vrarë shtetasi Aleks Nika, si dhe janë plagosur shtetasit Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa.
Regjistrimi i këtij procedimi penal është bërë duke vlerësuar konkluzionet e vendimit Nr. 00-2024-1222 i Vendimit (69), datë 12.03.2024 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë (depozituar në sekratarinë e Prokurorisë së Posacme në datën 11.07.2024), si dhe duke qenë para detyrimit ligjor për zbatimin e këtij vendimi, me të cilin Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është urdhëruar për të regjistruar procedimin penal për kallëzimin e datës 16.02.2023, të shtetases Rajmonda Nika, si dhe duke vlerësuar dhe mbajtur parasysh, sipas vendimit të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, prononcimin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), (vendimi datë 14 Nëntor 2023 – çështja Nika kundër Shqipërisë), lidhur me rastin konkret, ku GJEDNJ në përfundim të çështjes ka konstatuar – shkelje të nenit 2, të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si në aspektin material ashtu dhe në atë procedural.
Në rastin konkret hetimi i veprave penale të parashikuara nga nenet 79, gërmat “dh” dhe “ë” e 25, 248 e 25, si dhe 301 e 25 të Kodit Penal, është në kompetencën lëndore të Prokurorisë së Posaçme, në bazë të nenit 75/a, gërma “ç” të Kodit të Procedurës Penale, pasi dyshohet se veprat penale mund të jenë kryer nga ish-funksionarë të lartë shtetërorë, gjatë ushtrimit të detyrës.
Duke vlerësuar informacionet e përftuara dhe të administruara se Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ishte duke kryer veprimet hetimore në lidhje me procedimin penal Nr.285, vitit 2011, (i rifilluar), aktet e të cilit bëjnë fjalë për ngjarjen e ndodhur më datën 21.01.2011, për vrasjen e shtetasit Aleks Nika dhe plagosjen e shtetasve Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa, si dhe pas njoftimit të datës 15.07.2024 të bërë nga prokurori i çështjes, në mbështetje të neneve 29 pika 3 dhe 75/a, me vendimin e datës 15.07.2024, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka vendosur ndër të tjera:
Përcaktimin e kompetencës lëndore për hetimin e procedimit penal nr.285, të vitit 2011, të regjistruar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, duke caktuar si prokurori kompetente Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Kërkimin e akteve të procedimit penal Nr.285, të vitit 2011, nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë.
Njoftimin me këtë vendim të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, me qëllim dërgimin prej saj të akteve të procedimit penal Nr.285, të vitit 2011.
Lini një Përgjigje