TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet16 Korrik 2024, 10:36

U akuzua për pastrim parash e përkrahje të autorit të krimit, Apeli liron nga burgu Erzen Breçanin!

Shkruar nga Pamfleti

U akuzua për pastrim parash e përkrahje të autorit të

Apeli i Posaçëm ka zbutur masën e arrestit ndaj ish-drejtorit të policisë, Erzen Breçani. Ai do të lirohet nga burgu dhe të lihet në “arrest shtëpie”.

Kujtojmë se ish-drejtori i policisë së Tiranës, Erzen Breçani, u arrestua më 20 nëntor 2023 dhe akuzohet për pastrim parash e përkrahje të autorit të krimit.

Kujtojmë se zbërthimi i aplikacionit SKY ECC çoi në goditjen e një  grupi kriminal që rezulton të jetë i përfshirë në trafiqe të drogës nga Amerika Latine në Europë, si dhe në ngjarje kriminale të ndodhura në Shqipëri pjesë e së cilës doli të ishin dhe zyrtarë të policisë dhe ish-zyrtarë.

Nga 11 persona për të cilët ishin lëshuar urdhra arresti, fillimisht u ekzetuan 5 prej tyre, ku si anëtarë të dyshuar të këtij grupi ranë ish-nëndrejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Breçani; shefi i Krimeve në Komisariatin numër 6, Dedan Gjoni dhe Bujar Germizi emër i njohur i botës së krimit në Kukës.

Arrestimi i Erzen Breçanit bashkë me Dedan Gjonin, shef i Krimeve te komisariati Nr. 6 në Tiranë u bë mbrëmjen e 20 nentorit 2023. Të dy u arrestuan pranë stadiumit ‘Air Albania’, pasi kishin prerë bileta për të parë ndeshjen e kombëtares me Ishujt Faroe.

Ndërkohë që pas operacionit gjashtë persona u shpallën në kërkim: Eralbi Breçani, djali i Erzen Breçanit, biznesmeni Ervin Mata, vëllai i gruas së Eralbi Breçanit; Albert Prenga; Ismail Zeneli; Bajram Grabova e Artan Sulejmani. Ndërkohë është caktuar masë sigurie detyrim me paraqitje për Jonida Babameto me detyrë oficere e Drejtorisë së Kufirit dhe Emigracionit.

Njoftimi i GJKKO: 

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Engert Pëllumbi, sot më 16.07.2024, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 158 akti, datë 12.07.2024 regjistrimi, mbi ankimin e personit nën hetim E.B., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 76, datë 30.05.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:

Ndryshimin e vendimit nr. 76, datë 30.05.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në këtë mënyrë:
– Pranimin e kërkesës; zëvendësimin e masës së sigurimit “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, të caktuar ndaj personit nën hetim E.B., me vendimin nr. 124., datë 17.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, verifikuar me vendimin nr. 128, datë 23.11.2023, të kësaj gjykate dhe miratuar me vendimin nr. 87-2024-4 (1), datë 04.01.2024 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me masën e sigurimit “Arrest në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i këtij kodi.
– Urdhërohet lirimi i personit nën hetim E.B., nga ambientet e paraburgimit, nëse nuk mbahet i izoluar për ndonjë shkak tjetër.
– Urdhërohet personi nën hetim E.B., që të mos largohet nga banesa e tij e cila ndodhet në adresën ***, si dhe që të mos komunikojë me persona të tjerë, me përjashtim të atyre të cilët jetojnë në të njëjtën banesë.
– Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si dhe shërbimet e policisë gjyqësore përkatëse për zbatimin e këtij vendimi.
– Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve nga e nesërmja e njoftimit të tij.

Lini një Përgjigje