TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 9 Mars 2024, 18:49

Skema/ Si Rajmonda Balilaj me nënkryetaren e Bashkisë abuzuan me tenderët në Patos, zyrtarët e tjerë të përfshirë

Shkruar nga Pamfleti

Skema/ Si Rajmonda Balilaj me nënkryetaren e Bashkisë abuzuan me

Ish-kryebashkiakja e Patosit, sot Prefekte e Fierit, Rajmona Blailaj është vënë në hetim nga SPAK, pasi ka abuzuar me tenderët kur ishte në bashki. SPAK ka zbuluar një skemë abuzive, ku e përfshirë është edhe ish-nënkryetarja dhe disa zyrtarë të tjerë.

GJKKO ka vendosur pezullimin nga detyra të Rajmonda Balilajt, aktualisht Prefekte e Fierit. Nën hetim janë:  Shkëlqim Beqiri, Sekretar i Përgjithshëm në Bashkinë e Patosit; Anisa Petani, ish-nëkryetare bashkie; Bora.M, me detyrë Specialiste Urbaniste;  A.M., me detyrë ish Inxhinier pranë Bashkisë Patos dhe E.R., me cilësinë e anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.

Tenderi i parë ku është abuzuar është ai me objekt: “Ndërtimi emergjent i murit mbajtës me gabiona dhe gurë në Dukas-Breg, si pasojë e rrëshqitjes së tokës dhe kthimin e rrugës në gjëndjen e mëparshme”, me numër REF-89301-03-08-2021, me Autoritet Kontraktor-Bashkia Patos, me fond limit 6,758,853.92 lekë.

Rezulton se ish Kryetarja e Bashkisë Patos, Rajmonda Balilaj dhe anëtarët e KVO-së A. P. (ish Nënkryetare e Bashkisë Patos), Sh. B. dhe E. R., në bashkëpunim mes tyre, kanë konsumuar elementët e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, duke favorizuar në kundërshtim me ligjin dhe shpallur fitues operatorin ekonomik “G……. 001. Nga dokumentacioni i dorëzuar nga ofertuesit, e parë kjo në raport me kriteret e vendosura në Dokumentet Standarte të Tenderit, duhej të ishte shpallur fitues një tjetër operator ekonomik, i cili përveçse përmbushte kushtet, kishte dhe ofertë më të vogël në vlerën 1,5 milion lekë.

Balilaj ka ndërmarrë një sërë hapash nëpërmjet punonjësve të Bashkisë, për të legjimituar anulimin e procedurës së tenderimit, pikërisht për të mos u shpallur fitues operatori “2…..” gjë që do të nxirrte zbuluar punimet e kryera nga operatori i paracaktuar për të fituar garën. Nga hetimi u provua se e hetuara ka paracaktuar fituesin e këtij tenderi, pikërisht operatorin “G……. 001”, i cili është shpallur fitues (që nga viti 2019, kur ky subjekt është regjistruar për herë të parë në QKB deri në vitin 2022, pra për tre vjet) në 32 procedura të organizuara nga Bashkia Patos.

Kurse anëtarët e grupit të punës të ngarkuar nga ish kryetarja e Bashkisë, me anë të urdhërit Nr.27, datë 08.04.2021, shtetasit V. N., B. M. dhe A. M., kanë përgatitur raportin teknik inspektimi Nr.997/2 Prot., datë 08.04.2021, ku kanë dalë në mënyrë unanime, në konkluzionin si më poshtë: “Pavarësisht se nuk është mbajtur dokumentacioni i nevojshëm për ndërtimin e mureve mbajtëse, muret mbajtëse të ndërtuara kanë shërbyer për pengimin e avancimit të shkarjes së dheut. Grupi i punës është i mendimit që kthimi i terrenit në gjendjen e mëparshme do të sillte pasoja dhe ngjarje të papritura në këtë shkarje dhe nuk do të rekomandonte bërjen e këtyre punimeve. Kostoja e kthimit në gjendje e mëparshme dhe ribërja e të njëjtave punime do të ishte e rrezikshme. Për pjesën e paasfaltuar të rrugës dhe të kanalit në anën e sipërme, grupi i punës rekomandon një periudhë monitorimi të situatës në vend për të parë rezultatet e qëndrueshmërisë së ndërtimit të këtyre mureve mbajtëse. Rekomandojmë edhe monitorimin e prurjeve të ujërave nëntokësore dhe hartimin e një projekti për largimin e tyre nga ky plan shkarjeje”.

Këta të hetuar, kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 186/2, i Kodit Penal, pasi kanë paraqitur rrethana të rreme në këto konkluzione, të cilat rrëzohen nga akti i ekspertimit të kryer nga Prokuroria e Posaçme, dhe po ashtu dhe deklarimet e shtetasit e  I. D..

Tender tjetër abuzim është: “Ndërtim emergjent i murit mbajtës në trupin e rrugës në fshatin Ruzhdie, si pasojë e rrëshqitjes së tokës dhe kthim i rrugës në gjendjen e mëparshme”, me numër reference REF-86952-02-12-2021, me Autoritet Kontraktor Bashkia Patos, në vlerën 8,634,380.435 lekë.

Nga analizimi i provave është krijuar dyshimi i arsyeshëm se të hetuarit, kanë favorizuar në kundërshtim me ligjin dhe shpallur fitues operatorin ekonomik “G…… 001”.

Në këtë procedurë prokurimi me Autoritet Kontraktor Bashkia Patos, ish kryetarja e Bashkisë Patos, ka paracaktuar fituesin i cili është i njëjti operator “G……. 001”, duke dalë në “Apollon TV” dhe informuar fillimin e punimeve për këtë rrugë, në datën 06.02.2021, në një kohë kur shpallja e fituesit “G……. 001” është bërë në datën 15.02.2021, dhe lidhja e kontratës me autoritetin kontraktor është bërë në datën 16.02.2021.

Ish kryetarja e Bashkisë, ka bashkëpunuar me anëtarët e KVO-së të caktuar prej saj, në urdhërin përkatës, pasi ajo nuk kishte nga ta dinte se ky operator do të kualifikohej si fitues edhe pse ishte i vetmi garues në garë. Në këtë mënyre nga tërësia e elementëve objektive dalin edhe ato subjektive, pra bashkëpunimi i saj me anëtarët e KVO-së , pasi edhe këta të fundit kanë shpallur fitues operatorin “G…… 001”, edhe pse nga hetimi ka rezultuar se ky operator nuk i plotësonte të gjitha kriteret dhe dokumentacionin sipas DST dhe duhej skualifikuar.

 

Lini një Përgjigje