
Publikohet dokumenti zyrtar që mohon pretendimet e mediave greke, ku në një artikull e cilësojnë si “paturpësi” mungesën e ftesës ndaj Greqisë për inagurimin e bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë më 4 mars.
Dokumenti i datës 29 janar të këtij viti është një ftesë zyrtare nga ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ndaj homologut të tij grek Nikos Dendias, për të marrë pjesë në inagurimin e bazës ajrore të Kuçovës në 4 mars.
“Në kuadër të nivelit të shkëlqyeshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve tona dhe në veçanti të bashkëpunimit në fushën e sigurisë, më lejoni t’ju bëj një ftesë zyrtare për të vizituar Shqipërinë, që mund ta kombinojmë me inagurimin e bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë në 4 mars”, thuhet në ftesën e bërë ndaj ministrit grek të Mbrojtjes Nikos Dendias.
Ndërkohë, ministria e Mbrojtjes doli me një reagim zyrtar ku sqaroi se ministri grek e kishte pasur të pamundur të merrte pjesë në 4 mars dhe në vend të tij morën pjesë zyrtarë të lartë nga ambasada e vendit fqinj.
“Shqipëria dhe Greqia gëzojnë një nivel shumë të mirë bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes si aleatë të përkushtuar të NATO-s. Jemi mirënjohës ndaj Greqisë (dhe Italisë) që për vite me radhë kanë kryer Policimin Ajror për vendin tonë. Me të njëjtën qëllim, më 29 janar, Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë dërgoi një ftesë zyrtare homologut të tij grek për të bërë një vizitë zyrtare në Shqipëri, që përkonte në të njëjtën kohë me ceremoninë e inagurimit të Bazës Taktike Ajrore të Kuçovës.
Më 14 shkurt, morëm përgjigjen se për shkak të angazhimeve të paracaktuara, Ministri i Mbrojtjes Dendias nuk do të mund të merrte pjesë në ceremoninë e 4 marsit. Në vend të tij, zyrtarë të lartë nga Ambasada e Greqisë në Tiranë morën pjesë në këtë ceremoni. Jemi të keqardhur për lajme të tilla që nuk pasqyrojnë të vërtetën dhe realitetin në lidhje me bashkëpunimin tonë me shtetin tonë fqinj, Greqinë dhe që nxisin keqkuptime mes dy vendeve tona mike”, thuhet në reagimin e ministrisë së Mbrojtes për artikullin e mediave greke.

Lini një Përgjigje