TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet21 Shkurt 2025, 15:37

Si po e largon Tonin Gjuraj, “Luigj Gurakuqin” nga tallavaja universitare

Shkruar nga Pamfleti
Si po e largon Tonin Gjuraj, “Luigj Gurakuqin” nga tallavaja
Tonin Gjuraj

Tonin Gjuraj ka nisur një revolucion të domosdoshëm për të shpëtuar “Luigj Gurakuqin” nga mediokriteti dhe plagjiatura, por edhe nga konflikti i interesit...

Shqipëria nuk është Anglia, as Franca apo Zvicra, siç dhe institucionet bazike si janë universitetet nuk mund të vijnë në nivele europiane sa hap e mbyll sytë. Por që duhet të shkojnë drejt standardeve të këtyre shkollave të famshme europiane, nuk ka dyshim.

Universiteti “Luigj Gurakuqi” i Shkodrës nuk është Universiteti i Tiranës. Ai ka nisur rrugën vonë, e jo si universitet, por një shkollë e lartë që nxirrte mësues për shkollat e Shqipërisë, të mbytur nga analfabetizmi.

“Luigj Gurakuqi” pati detyrën që të shkollonte mësues nga veriu i Shqipërisë. E të arrinte që për çdo fshat të humbur të vendit, të arsimojë një arsimtar të aftë që të mësojë lëndët bazike.

Ishte një garë interesante e tre instituteve arsimore thuajse universitare pedagogjike; në Shkodër, Elbasan e Gjirokastër, për të siguruar vendin me mësues.

“Luigji” e fitoi garën dhe arriti që të ngeje nivelin e një katedre që jo thjesht arsimon mësues të ardhshëm, por edhe diskuton e kërkon shkencërisht në zhvillimet e rëndësishme arsimore në vend.

Jup Kastrati, i Gjuhësisë, Vehbi Hoti i Mësuesisë, Mahir Hoti i Gjeografisë, e shumë emra të tjerë që kanë mbetur si ikona të referencës shkencore i kanë dhënë Luigjit një brand që nuk i hiqet kollaj.

Por ky brand u rrudhos, kur në katedrat e këtij instituti, më pas të bërë universitet, erdhën politikanët dhe të shtyrët nga politika. Por ka edhe më keq, ka nepotizëm ku fëmijë profesorësh mbijnë si docentë thjeshtë si bij të prindërve, por që nuk kanë dhënë asnjë kontribut shkencor.

Megjithatë pjesën më të madhe të dërrmës e dhanë politikanët. A e dini që në Universitetin e Shkodrës, Jozefina Topalli ka qenë profesoreshë drejtësie edhe pse s’merr vesh nga ligji? Degë që e ka mbaruar me korrespondencë dhe me mik. Siç ka edhe sot shefa katedrash që janë deputetë të Kuvendit, por që nuk kanë lidhje me Shkodrën, por vijnë nga Lezha e rrethinat. Nuk ka vetëm të një partie, është mision bipartizan.

Eduard Ndrecaj i PS për shembull dhe Paulina Hoti, dy deputetë të Lezhës, që nuk është se kishin ndonjë arritje shkencore, u lartësuan në katedrën e ‘Luigjit’, i cili sipas gjasave është ‘përmbysur në varr’ pasi ka marrë vesh zhvillimet.

Në verën e shkuar “Luigj Gurakuqi” kreu një lëvizje të madhe, në zgjedhjen e kreut të tij, ku profesor Tonin Gjuraj, erdhi nga një katedër universitare e njohur jopublike, për tu kthyer në origjinën e tij dhe të formimit akademik. Një sfidë që pati debat, por edhe një polemikë të madhe që vazhdon, sepse nuk mund të ketë reformë në ‘Luigj’, nëse nuk prish rutinën që e vrau “Rilindasin universitar”.

E Tonin Gjuraj pasi përgatiti planin e vizionin e tij, ka nisur punën për ta thyer “Luigjin” në një universitet të “djepit të kulturës”. Largimi i zv/rektores Paulina Guli-Hoti shkaktoi polemika, dhe ish-deputetja e ilustroi si një vendim drastik dhe politik. Kur në fakt e gjitha kjo përbën një logjikë normale të një prerje kirurgjikale të konfliktit të interesit.

Zonja Hoti, e mësuar me poste e ofiqe pa mbarim, që nga deputete e drejtuese katedrash, vetëm së fundi është anëtare e bordit drejtues të Universitetit ‘Zonja e Këshillit të Mirë’, ndërkohë që ishte edhe zv/rektore e “Luigj Gurakuqit”. Po si mundet që një drejtuese e një universiteti privat të drejtojë edhe një të tillë publik? Përveçse një konflkt interesi kemi të bëjmë edhe një shkelje në ligj. Por zonja Hoti e konsideron si një kërkesë që ju imponua nga lidershipi i ri. Në fakt e gjitha kjo është automatike, madje logjike.

Universiteti “Luigj Gurakuqi” ka krijuar tashmë një përvojë 30-vjeçare të fakultetit juridik, edhe pse jo e vjetër, por këtë duhet ta bëjë me burimet e tij, e jo me lidhjet politike. Natyrisht që ka shembuj që mjaft profesorë universitarë në botë i kanë hyrë politikës dhe mirë kanë bërë, por i kanë mbetur besnik dispencave dhe studentëve të tyre, pa krijuar një plagjiaturë akademike dhe shkencore të besnikërisë së tyre akademike.

Një profesore katedre, e trajton krijesën e saj si një produkt bio që ta kthejë në patentë, pasi nëse kërkon që ta bëjë edhe diku tjetër nuk është më profesoreshë, por një plagjiaturë me konflikt interesi që do ta shkatërronte çdo student që kërkon të japë diçka në shkencën përkatëse.

Tonin Gjuraj, e ka nisur, edhe pse vonë, një revolucion të domosdoshëm për të shpëtuar “Luigj Gurakuqin” nga mediokriteti dhe plagjiatura, por dhe konflikti i interesit e sidomos ndërhyrja e politikës. Që duhet t’i rrijë larg botës universitare. /Pamfleti

Lini një Përgjigje