
Muaji janar ka sjellë një shtim të pacientëve të prekur nga gripi dhe virozat e stinës në Vlorë. Në repartin e pediatrisë nuk përjashtohen rastet me komplikacione, për të cilat nevojitet edhe shtrim në spital.
Mjekja pediatre, Rina Llanaj, tregon se cilat janë simptomat kryesore dhe kur duhet që prindërit të kenë kujdes të shtuar.
“Kemi brenda 24 orësh rreth 70 vizita. Një pjesë e fëmijëve hospitalizohen, ndërsa të tjerët vazhdojnë trajtimin në shtëpi me terapi ambulatore. Pasi marrin recetën, fëmijët vazhdojnë mjekimin në shtëpi, ndërsa rastet me komplikacione trajtohen në Repartin e Pediatrisë. Ky virus shkakton temperaturë të lartë, 39-40°C, që shpesh nuk ulet me paracetamol ose ibuprofen. Ai shoqërohet me kollë të thatë dhe është më i rrezikshëm për fëmijët me sëmundje kronike, si ato kardiake ose diabet”, tha ajo më herët për mediat.
Situatë e ngjashme paraqitet edhe te moshat e treta dhe personat me sëmundje kronike në Vlorë.
Mjekët apelojnë që të shmangen ambientet e mbingarkuara, sidomos për fëmijët dhe të moshuarit kronikë. Si masë kryesore parandaluese, bluzat e bardha sugjerojnë vaksinimin e hershëm për të evituar format e rënda të gripit.
Lini një Përgjigje