
Qeveria italiane synon që migrantët e parregullt dhe azilkërkuesit të qëndrojnë në qendra të mbyllura jashtë Bashkimit Europian dhe më pas të riatdhesohen në vendet e origjinës...
Qeveria e kryeministres Giorgia Meloni, gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit të Ministrave, miratoi një paketë të re masash më të rrepta për çështjen e migracionit. Sipas njoftimit zyrtar, masat synojnë përafrimin e legjislacionit italian me Paktin e ri Europian për Migracionin dhe Azilin. Për të hyrë në fuqi, ato duhet të miratohen nga Parlamenti, pasi qeveria zgjodhi procedurën e projektligjit dhe jo të dekretit ligjor.
Paketa parashikon se, në rast të një kërcënimi serioz ndaj rendit publik ose sigurisë kombëtare, hyrja në ujërat territoriale italiane mund të ndalohet përkohësisht me vendim të Këshillit të Ministrave, pas propozimit të ministrit të Brendshëm. Ndalimi mund të zgjasë nga një deri në gjashtë muaj.
Autoritetet do të konsiderojnë si kërcënime serioze rrezikun e infiltrimit të elementëve terroristë, presionin e jashtëzakonshëm migrator, emergjencat shëndetësore me përmasa globale dhe ngjarje ndërkombëtare që kërkojnë masa të posaçme sigurie.
Sipas mediave italiane, kushdo që shkel këtë “bllokadë detare” do të përballet me gjobë nga 10 mijë deri në 50 mijë euro. Në rast përsëritjeje me të njëjtin mjet lundrues, autoritetet do të urdhërojnë sekuestrimin e tij.
Masat parashikojnë gjithashtu që migrantët që tentojnë të hyjnë në ujërat territoriale italiane, pavarësisht ndalimit, mund të transferohen në vende të treta me të cilat Italia ka nënshkruar marrëveshje të posaçme. Qeveria italiane synon që migrantët e parregullt dhe azilkërkuesit të qëndrojnë në qendra të mbyllura jashtë Bashkimit Europian dhe më pas të riatdhesohen në vendet e origjinës.
Sipas analizave të cituara nga mediat italiane, kjo dispozitë i referohet drejtpërdrejt memorandumit të bashkëpunimit mes Italisë dhe Shqipërisë, si dhe dy strukturave të mbyllura që Italia ka ngritur në veri të Shqipërisë.
Në fund, paketa e re, e cila pritet të shqyrtohet nga Dhoma e Deputetëve dhe Senati në Romë, kufizon ndjeshëm përdorimin e telefonave celularë brenda qendrave të mbyllura për migrantët e parregullt dhe ndalon realizimin e videove dhe fotografive me celular.
Lini një Përgjigje