
Shpërthimi i fruthit në vendin tonë dhe rastet e shtuara mund të krijojnë terren edhe për kthimin e tij në epidemi.
Mjeku Ilir Alimehmeti ka thënë se ende nuk jemi në situatën e një epidemie të fruthit, por sëmundja ka terrenin që të bëhet e tillë.
Problemi më i madh, sipas Alimehmetit, është se sëmundja është ngjitëse 4 ditë para se të shfaqen shenjat e para tek pacienti ndërsa mënyra e vetme për ta parandaluar është vaksina.
“Risku është i madh që do të thotë, ne kemi terrenin për të pasur epideminë. Nuk jemi në një situatë epidemie sot që flasim, por është virusi më i transmetueshëm që ne njohim. Nuk shquhemi për identifikim të shpejtë të rasteve, nuk shquhemi as për identifikim të kontakteve të këtyre rasteve në kohë. Nuk shquhemi as si shtet që zbatojmë ligjet.
Sepse ka një ligj që thotë se kur nuk i ke këto vaksina nuk mund të shkosh në çerdhe, kopshte apo shkolla, ndërkohë tek ne janë të gjithë në kontakt me fëmijë të tjerë. Kujtoj se fruthi ka një veçori, afërsisht 4 ditë para simptomave pacienti bëhet ngjitës për të tjerët, por nuk ka asnjë shenjë vetë”, ka sqaruar mjeku Alimehmeti.
Më tej ai ka sqaruar se është e vështirë në ditët e para të identifikohet sëmundja dhe kjo e bën më të rrezikshme.
Lini një Përgjigje