TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet29 Janar 2024, 17:08

Kunata e Mirelit të inceneratorëve jashtë sistemit të drejtësisë, KPA shkarkon Mariola Mërtirin

Shkruar nga Pamfleti
Kunata e Mirelit të inceneratorëve jashtë sistemit të
Mirel dhe Mariola Mërtiri

KPA gjeti problematike marrëdhënien mes Mërtirit e bashkëshortit të saj, me vëllain e këtij të fundit dhe kunatën. Dy personat në fjalë, Mirel Mërtiri dhe Stela Gugallja, janë të dënuar si të përfshirë në aferën e inceneratorëve...

Mariola Mërtiri nuk do të jetë më pjesë e sistemit të drejtësisë. Prokurorja e njohur tashmë për të gjithë nuk ja ka dalë të bindë trupën e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, e cila ka vendosur të shkarkojë kunatën e Mirel Mërtirit të Inceneratorëve.

Trupa e kryesuar nga Ina Rama, me anëtar Rezarta Schuetz, Sokol Çomo, Albana Shtylla dhe Mimoza Tasi arsyetoi ndër të tjera se Mërtiri kishte mungesë burimesh të ligjshme në kriterin e pasurisë dhe se ishte në shkelje të legjislacionit sa i përket përfitimit të një apartamenti me kredi të butë.

Trupa arsyetoi se shkelje ishte edhe shitja e këtij apartamenti dhe fakti që nuk ishin deklaruar aksionet e bashkëshortit në një kompani. Sipas Kolegjit Mërtiri kishte probleme edhe sa i përket kriterit të figurës.

KPA arsyetoi ndër të tjera se mos deklarimi në formular i marrëdhënies me një person të dënuar tek i cili ishte blerë apartamenti, përbënte shkelje. Sipas Kolegjit fakti që Mërtiri kishte dhënë dorëheqjen nga një çështje me këtë person, e bënte jo bindëse arsyet pse ajo nuk e kishte deklaruar këtë marrëdhënie.

Në të njëjtën kohë KPA gjeti problematike marrëdhënien mes Mërtirit e bashkëshortit të saj, me vëllain e këtij të fundit dhe kunatën. Dy personat në fjalë, Mirel Mërtiri dhe Stela Gugallja, janë të dënuar si të përfshirë në aferën e inceneratorëve.

Sipas “BIRN”, Kolegji arsyetoi se fakti që marrëdhëniet financiare kishin vijuar edhe pas marrjes së këtyre personave si të pandehur ishte në mospërputhje me qëllimin e procesit të rivlerësimit për rikthimin e besimit të publikut te drejtësia.

KPA gjeti probleme edhe në çështjet e hetuara nga prokurorja dhe vlerësoi në tërësi se ajo “cënonte besimin e publikut te drejtësia”.

Lidhjet me Mërtirin

Gjatë seancës dëgjimore të datës 17 janar, sipas Komisioneres Nino, Mërtiri nuk ka arritur të provojë të kundërtën e barrës së provës lidhur me mosdeklarimin e një kontakti të papërshtatshëm të saj dhe të bashkëshortit në prill të vitit 2012, kur kanë nënshkruar kontratën për apartamentin, e firmosur dhe nga një person i proceduar në Itali për krim të organizuar.

Mërtiri sqaroi se bashkëshorti ka negociuar kushtet e kontratës me një tjetër person në vitin 2011, kur dhe është bërë porosia për blerjen e apartamentit në të ardhmen. Sipas saj, shtetasi i përfshirë në krimin e organizuar ka nënshkruar kontratën në vitin 2012 tek noteri përpara se të shkonte bashkëshorti. Ajo këmbënguli se jo vetëm ajo, por as bashkëshorti nuk kishte pasur ndonjë takim të rastësishëm apo të drejtëpërdrejtë me personin në fjalë. Sipas subjektit, nuk kishte pasur të dhëna për dënimin e shtetasit G.Z. në Itali, ndërsa në medie ishin bërë shkrime vite më vonë.

Sipas Mërtirit, Komisionerja nuk ka sqaruar se kush është kontakti i papërshtatshëm dhe se pretendimet e saj bien ndesh me procesin e rivlerësimit kalimtar.

Por Nino nuk i gjen të bazuara në provat e administruara shpjegimet e subjektit. Ajo sjell në vëmendje një kërkesë të subjektit për heqje dorë nga hetimi një procedimi të shtetasit në fjalë. Sipas Ninos, rezulton se subjekti ka pasur dijeni të plotë, si për faktin e problemeve ligjore me drejtësinë të shtetasit G.Z., ashtu dhe për faktin e kontaktit me këtë person në muajin prill të vitit 2012, kohë në të cilën së bashku me bashkëshortin kanë hyrë në marrëdhënie kontraktuale me atë person.

Nino deklaroi se mosdeklarimi i këtij kontakti ka shkaktuar pasaktësi në plotësimin e formularit për pastërtinë e figurës dhe se kjo rrethanë përbën një të metë që mund të konsiderohet si deklarim i pamjaftueshëm.

Edhe vëzhguesi ndërkombëtar, Steven Kessler ngriti pikëpyetje mbi faktin se si kishte kërkuar të hiqte dorë nga hetimi i G.Z., ndërkohë që deklaronte se nuk e njihte e nuk kishte pasur asnjëherë kontakt me atë person.

Mërtiri sqaroi se kur kishte të bënte me hetimin e çështjeve të asaj rëndësie, verifikonte gjithë dokumentet për të konstatuar nëse kishte ndonjë arsye për t'u gjendur në kushtet e heqjes dorë ose jo.

Komsionerja Nino ndan vlerësim të ndryshëm edhe për faktet dhe rrethanat e konstatuara për kontaktet e papërshtatshme me të akuzuarit për aferat e incineratorëve, Mirel Mërtirin dhe bashkëjetuesen e tij, Stela Gugallian, si dhe për Klodian Zoton. Sipas Ninos, kjo vjen si pasojë e punësimit të bashkëshortit të subjektit në kompani të krijuar nga këta shtetas, përdorimi automjeteve apo udhëtimet.

Nino renditi të gjitha të dhënat e konstatuara në lidhje me personat e përfshirë në aferën e incineratorëve. Ajo konstatoi dy udhëtime, një në vitin 2016 kur subjekti dhe bashkëshorti kanë udhëtuar se bashku me Gugalljan dhe tjetri në 2018-ën, në drejtim të Vjenës pë të vizituar kunatin, Mirel Mërtirin, për arsye shëndetësore të këtij të fundit.

Sipas Komisioneres, në vitin 2018, shoqëritë e tre të akuzuarve, Mirel Mërtiri, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto janë referuar në media si të përfshira në korrupsion në çështjen e incineratorëve. Ndërkohë, sipas saj, ka rezultuar se në janar të vitit 2019, subjekti ka përdorur automjetin në pronësi të njërit prej të akuzuarve, që rezulton të jetë përdorur dhe nga katër persona të tjerë të hetuar po për aferën e incineratorëve.

Nino parashtroi se në qershor të vitit 2020, në media u raportua dorëzimi i një kallëzimi penal pranë SPAK lidhur me çështjet e incineratorëve, kompanitë dhe personat e përfshirë. Sipas saj, në nëntor të atij viti u regjistrua procedimi penal, ndërkohë që bashkëshorti ka përdorur automjetin që I përkiste një prej shoqërive të përfshira.

Sipas Komisioneres, nga maji i vitit 2021 deri në nëntor të 2022-it, janë marrë me radhë nën hetim personat e përfshirë në këtë aferë, mes tyre edhe kunati i subjektit dhe bashkëjetuesja e tij, ndërkohë që bashkëshorti i prokurores Mërtiri ka punuar deri në gusht të vitit 2022 në një prej shoqërive nënkontraktore me pagë shumë të lartë.

Nino vlerëson se ekzistojnë një seri e qartë faktesh dhe rrethanash, të provuara nga aktet e administruara, që tregojnë për një vazhdimësi lidhjeje midis subjektit të rivlerësimit, bashkëshortit të saj, kunatit, kunatës dhe vjehrrit gjatë viteve 2002-2022. Komisionerja vëren se kunati i subjektit dhe bashkëjetuesja e tij janë hetuar nga SPAK për aktivitete të krijuara prej vitit 2011 e në vazhdim dhe janë deklaruar fajtorë në lidhje me çështjet e incineratorëve.

Në përfundim të parashtrimit të këtij shkaku, Nino vlerëson se nga momenti kur çështja e aferës së incineratorëve u bë publike në vitin 2018 e në vijim, si dhe vendosja e sekuestrove mbi pasuritë e shoqërive të administruara nga familjarët e bashkëshortit të subjektit, kanë lidhje me vlerësimin në drejtim të ndikimit që kanë në besimin e publikut, për qëllim të procesit të rivlerësimit.

Mërtiri i kundërshtoi konstatimet e Komisioneres, duke i cilësuar në kundërshtim me ligjin për procesin e rivlerësimit. Ajo tha se nuk ka asnjë provë që bashkëshorti të ketë bashkëpunuar me familjarët e tij të akuzuar dhe theksoi se sapo ndaj tyre ka filluar hetimi për këto çështje kanë ndërprerë çdo lloj komunikimi.

Subjekti vërejti se e vetmja marrëdhënie biznesi mes bashkëshortit dhe vëllait të tij ka qenë ajo e viteve 2004-2007, kur sipas saj nuk ka sjellë ndonjë të ardhur.

Mërtiri nuk pranoi që mjeti në vitin 2019 të ishte përdorur prej saj. Ajo shtoi se kur ka udhëtuar një herë drejt Malit të Zi, asnjë prej personave në fjalë nuk ka qenë i proceduar dhe për rrjedhojë nuk mund të konsiderohen si persona të papërshtatshëm.

Lidhja është për shkak të ligjit, martesës time. Sqaroj se nga momenti që u njoftuam se ndaj tyre ishte regjistruar procedim penal, kontakti me ata është ndërprerë. Të dhënat e TIMS konfirmojnë se edhe më parë, marrëdhënia ime me këta persona ishte indiferente,” theksoi Mërtiri.

Ajo deklaroi se në vitin 2019 ka qenë vetëm bashkëshorti në Vjenë për të vizituar të vëllanë që po i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjikale, ndërsa u shpreh se nuk e dinte përse Komisionerja parashtronte se kishte qenë edhe subjekti. “Komisionerja bën pjesë ankimi gjëra të paqëna,” pohoi Mërtiri.

Lidhur me punësimin e bashkëshortit, ajo tha se ai asnjëherë nuk kishte qenë drejtues, por thjesht i punësuar.

Në vijim, Mërtiri solli në vëmendje se dënimi ndaj personave të tjerë të lidhur nuk është i formës së prerë dhe sipas saj, nuk duhej që këto çështje të ishin bërë pjesë e seancës publike.

Kessler e pyeti gjatë subjektin, mes të tjerash edhe për marrëdhëniet e saj dhe të bashkëshortit me vëllanë e këtij të fundit, Mirel Mërtirin dhe bashkëjetuesen e tij, Stela Gugallja.

Në funksion të pyetjeve të Kessler, ajo sqaroi se dy fëmijët e mitur të kunatit i kishin vizituar me raste dhe u kishin bërë dhurata simbolike kur kishin pasur datëlindjet. Ajo pranoi se kishte udhëtuar një herë në Vjenë në vitin 2016, ndërsa në 2019 ritheksoi se kishte udhëtuar vetëm bashkëshorti për të parë të vëllanë e sëmurë.

Kur u pyet se ku gjendej aktualisht Mirel Mërtiri, subjekti deklaroi se nuk e dinte pasi nuk kishte asnjë kontakt. “Nëse u referohemi medieve mund të jetë në Austri,” pohoi ajo dhe shtoi se takimi i fundit që ka pasur bashkëshorti me të vëllanë ka qenë përpara se ky i fundit të procedohej.

Sipas subjektit, bashkëshorti i saj kishte vendosur të qëndronte indiferent për këtë çështje, duke pritur vendimarrjet e institucioneve përkatëse.

Në përgjigje të pytjeve të njëpasnjëshme të Kessler, Mërtiri sqaroi se bashkëshorti ka qenë vetëm i punësuar në shoqëritë e krijuara nga kunati dhe bashkëjetuesja e tij. Disa herë ajo theksoi se nuk e kuptonte kontekstin e pyetjeve.

Kessler e pyeti nëse gjithë transaksionet e kryera, nga dhurimet e deri tek procedimet e kunatit dhe bashkëjetueses së tij ndikonin në cënimin e besimit të publikut. Subjekti e cilësoi si një qëndrim të vëzhguesit ndërkombëtar dhe jo si pyetje. Ajo tha se ka vetëm një transaksion në vitin 2011, ndërsa për rrethanat e personat e tjerë të referuar nga Kessler apo nga media, pohoi se mund të kenë të bëjnë me personat e tjerë të lidhur.

Sipas Mërtirit, ligji po keqintepretohej për një çështje që është nën hetim. “Nuk mund të kryqëzohem unë për vëllanë e bashkëshortit,” pohoi prokurorja Mërtiri ndër të tjera.

Lini një Përgjigje