
Gjykata Kushtetuese ka miratuar marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët, për të cilën ka thënë se nuk shkel sovranitetin e vendit.
Për vendimin disa të rinj kanë protestuar para dyerve të Gjykatës Kushtetuese.
Protesta e tyre ka simbolizuar “vdekjen” e Gjykatës Kushtetuese pasi ata kanë vendosur kurorë mortore në dyert e saj.
Marrëveshja e nënshkruar mes Shqipërisë e Italisë kaloi sot edhe “testin” në Gjykatën Kushtetuese ku u miratua 5-4 në favor për pranimin e emigrantëve nga Afrika në Shqipëri për një periudhë të caktuar kohe.
Shumica e anëtarëve të Gjykatës e cilësuan paktin Rama-Meloni në përputhje me kushtetutën.
Në 13 dhjetor, Gjykata Kushtetuese kishte marrë në shqyrtim kërkesën e bërë nga 30 deputetë të grupit Berisha-Bardhi lidhur me marrëveshjen Itali-Shqipëri, e cila konsiderohej nga ata anti-kushtetuese.
Kryeministri, Edi Rama nuk preferoi të jepte komente, duke thënë se një gjë e tillë është në të drejtën e Gjykatës Kushtetuese.
Ndërkohë, dhoma e Deputetëve në Itali ka miratuar me 155 vota pro, 115 kundër dhe dy abstenime projektligjin e ratifikimit të marrëveshjes Itali-Shqipëri për emigrantët, që parashikon hapjen e dy CPR-ve në territorin shqiptar, për të pritur 3000 emigrantë.
Kujtojmë se marrëveshja e firmosur në Romë në 6 nëntor të vitit të kaluar, mes kryeministrave të të dy vendeve, përfshin emigrantët që nisen nga Afrika e Veriut dhe kapen në det nga anijet italiane.
Lini një Përgjigje