Një BKH e SPAK, duhet vetëm për Kadastrën, për të hetuar volumin e madh të krimeve, që Artan Lame me vartësit e tij ka bërë në legalizime dhe në regjistrat e hipotekës në Tiranë, Lezhë, Durrës, Vlorë, Sarandë, Shkodër, Korçë, Elbasan e Fier...
Gjatë takimit me studentët në Shkodër, drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, tha se ka një numër të madh dosjesh korrupsioni që po shtohen, përballimi i të cilave kërkon kohë dhe staf më të madh.
Si provë, po përmendim vetëm një fakt: Për hetimin e dosjeve të korrupsionit e vjedhjeve, me 4 PPP-të e tenderët në shëndetësi dhe donacionet e huaja, që ka bërë Ilir Beqaj me vartësit e tij, janë angazhuar 9 agjentë të BKH dhe 6 prokurorë të SPAK.
Pra, kaq po merren vetëm me hajdutëritë e Ilir Beqajt, kur në total BKH ka 62 hetues dhe SPAK ka 20 prokurorë; ndërsa aktualisht, nën hetim, në proces hetimor arrest me burg, arreste shtëpie, hetim në gjendje të lirë e gjurmim, janë 780 drejtues e vartës të tyre.
Edhe një fakt: çdo ditë, hetuesit e BKH marrin në pyetje zyrtarë dhe çdo javë mësyjnë nëpër institucione e banesa drejtorësh, ku sekuestrojnë telefona, kompjuterë e dokumente korrupsioni.
P.sh., pas arrestimeve më 8 dhjetor 2023, të 8 zyrtarëve të Bashkisë së Tiranës për aferën e landfilleve; hetuesit e BKH, më 26 janar 2024 shkuan për sekuestrim në zyrën dhe banesën e Drejtoreshës së Punëve Publike të kësaj Bashkie, Ilda Qazimllari e disa zyrtarëve të tjerë.
Para disa kohësh, BKH sekuestroi 12 telefona, kompjuterë e dokumente të drejtorëve te ministria e Belinda Ballukut; 20 te ministria e Niko Peleshit dhe në Shtabin e Ushtrisë; 8 te ministria e Mirela Kumbaros dhe 10 te Ministria e Shëndetësisë.
Nuk i sekuestruan se janë vjedhur, por sepse brenda tyre janë pazaret për aferat dhe vjedhjet që u kanë bërë fondeve e pasurive shtetërore, me urdhër të ministrave, krye bashkiakëve e drejtorëve.
Nëse shefat e SPAK do vendosin të sekuestrojnë telefona e kompjuterë në kryeministri, ministrinë e Bujqësisë, të Brendshme e Financave, duhet ta nisin me telefonat e Bablokut, Ballukut, Engjëll Agaçit, Frida Krifcës, Anila Denajt, Delina Ibrahimajt, Bledar Çuçit etj.
Por edhe të Drejtoreshës së Shërbimeve Qeveritare, Dhurata Frashëri, të dy ish-drejtorëve Anti-Korrupsion në kryeministri: Pirro Vengut, akualisht Drejtor i Portit Durrës dhe Ergys Hoxhës, aktualisht zv/Drejtor i Përgjithshëm i Doganave.
Korrupsioni është bërë “mullar”, duke nisur nga kryeministria deri te ministrat e prefektët, dhe në nivel horizontal të drejtoritë, në bashki, inspektorate, kompani shteti e deri në njësitë lokale.
Këtë vërshim korrupsioni në zyrat e shtetit, që fillon dhe lejohet nga maja e qeverisë, duhet ta hetojë dhe godasë drejtësia e re, por për të përballur volumin e madh, duhet nga 1 BKH e nga një 1 SPAK për kryeministrinë dhe për çdo ministri, bashki e drejtori.
1 BKH e 1 SPAK, duhet vetëm për Kadastrën, për të hetuar volumin e madh të krimeve, që Artan Lame me vartësit e tij, ka bërë në legalizime dhe në regjistrat e hipotekës në Tiranë, Lezhë, Durrës, Vlorë, Sarandë, Shkodër, Korçë, Elbasan e Fier.
Nga 1 BKH e SPAK, duhet për batërdinë në Bankën e Shtetit, në Komitetin e Investimeve Strategjike, Drejtorinë e PPP-ve, “Kontratave 1 Euro”, Agjencinë e Barnave dhe Lojërat e Fatit.
Nga 1 BKH e 1 SPAK, duhet për batërdinë në Drejtorinë e Rrugëve, në Albcontrol, Albpetrol, Postat Shqiptare, KESH, OSHEE, OST, QSUT, Spitalin e Traumës, Drejtorinë Ujësjellës-Kanalizimeve, Drejtorinë e Lojërave të Fatit dhe në Bashkitë Vlorë, Durrësit, Fier e Elbasan.
Sepse, sipas investigimit që ka bërë “Pamfleti”, rezulton se gjatë 8 viteve të fundit, janë bërë 570 qarkullime ministrash, zv/ministrash, drejtorësh e krye bashkiakësh, duke i ri-emëruar me ndërrim vendesh në kryeministri, ministri, drejtori, ambasada e kuvend./Pamfleti
Lini një Përgjigje