
Prokuroria e Posaçme ka publikuar pamjet e operacionit ndërkombëtar kundër trafikut të drogës të finalizuar në disa shtete ku kanë përfunduar në pranga 20 persona ndërkohë që një tjetër është shpallur në kërkim.
Në video duken pamjet e marra nga ndjekja e anëtarëve të grupit, takimet e fshehta që ata bëjnë dhe momenti kur kalojnë ngarkesën me lëndë narkotike në pikat kufitare.
Gjithashtu SPAK ka publikuar edhe pamjet nga operacioni në muajin shkurt të vitit të kaluar në Durrës ku u kap një sasi lënde narkotike.
Policia i bllokon rrugën automjetit të trafikantëve dhe i shtrin ata në rrugë duke i vendosur prangat për t’i neutralizuar.
Operacionit i sotëm i SPAK është bërë në bashkëpunim me autoritetet italiane, prokurorinë e Firences dhe Eurojust. Në total janë lëshuar 21 urdhër-arreste, vetëm njëri ka shpëtuar nga arrestimi. Mes të arrestuarve është edhe një polic.
Hetimi ka nisur në vitin 2020. Gjatë hetimit janë dokumentuar disa episode të trafikut të kanabisit në forme çokollatë. Kryesor në grup ka qenë Endrit Bakiu, ndërsa të tjerët kanë pasur rolin e transportuesit të lëndës narkotike.
Prokurori Vladimir Mara në një konferencë për mediat ka folur në lidhje me operacionin antidrogë në bashkëpunim me autoritetet italiane.
Sipas Marës janë vendosur gjithsej 21 masa të sigurimit personal, ndërsa 20 janë ekzekutuar. Mara shtoi se një prej tyre është shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Lini një Përgjigje