TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet27 Qershor 2023, 13:43

Operacioni me 20 të arrestuar, SPAK zbardh detajet: Grupi kriminal trafikonte drogë me kamionë nga Turqia drejt Shqipërisë

Shkruar nga Pamfleti
Operacioni me 20 të arrestuar, SPAK zbardh detajet: Grupi kriminal
SPAK në konferencë për mediat

Sipas prokurorit Mara, ky grup merrej me trafikun e lëndëve narkotike i shtrirë nga Siria, Turqia, Greqia, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Italia e vende të tjera të BE.

SPAK ka dalë në një konferencë për shtyp lidhur me 21 urdhër arrestet e lëshuara ditën e sotme ndaj anëtarëve të një grupi kriminal që merreshin me trafikimin e lëndëve narkotike.

Prokurori Vladimir Mara dha detaje për operacionin antidrogë të finalizuar në bashkëpunim me autoritetet ndërkombëtare, që çoi në pranga 20 persona, ndërsa një tjetër u shpall në kërkim.

Sipas prokurorit, ky grup merrej me trafikun e lëndëve narkotike i shtrirë nga Siria, Turqia, Greqia, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Italia e vende të tjera të BE.

Droga sipas Marës transportohej me kamionë, e kamufluar në mënyrë të tillë që të mos dallohej në skanerat.

Sipas SPAK, falë hetimeve është bërë e mundur dokumentimi i episodeve të shumta të trafikut të lëndëve narkotike dhe janë identifikuar të 21 personat e përfshirë në këtë aktivitetet kriminal. Nga këto, 20 masa janë ekzekutuar këtë të martë, ndërsa tjetri i shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Në mesin e personave të arrestuar është edhe një efektiv policie i policisë kufitare në Shkodër, i dyshuar për korrupsion. Mara tha po ashtu se të gjitha sekuestrimet e lëndëve narkotike janë kryer në Shqipëri, ndërsa 3 të tjera në RMV, Greqi dhe Itali.

Personat ndaj të cilëve ka urdhërarrest janë:

1-Endrit Bakiu
2-Suko Pajo
3-Artur Sulaj
4-Arian Tola
5-Fadjon Çami
6-Viron Lekaj
7-Artan Agalliu
8-Shpëtim Pjeshka
9-Jani Çavo
10-Kudret Rustemaj
11-Besnik Ruçi
12-Pirro Çapi
13-Jani Meçja
14-Edmond Kabashi
15-Tomi Hila
16-Leonard Nergjoni
17-Artin Kurti
18-Astrit Miska
19-Ervis Çvilo
20-Mirash Gjoni
21-Sonila Sula (arrest shtëpie)

Operacioni i SPAK është zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet italiane, me prokurorinë e Firences dhe Eurojust. Dosja përbëhet nga 105 faqe ku përfshihen dhjetëra biseda të transkriptuara mes anëtarëve të grupit të strukturuar kriminal. Drejtuesi i grupi është Endrit Bakiu, ndërsa pjesa e tjetër kanë pasur dolin e transportuesit të lëndës narkotike. Procedimi për këtë rast nisi në vitin 2020.

Njoftimi i plotë i SPAK:

Më datë 16.10.2020 Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka regjistruar procedimin penal nr.249, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” kryer në formë të posaçme atë të grupit të strukturuar kriminal “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”,“Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuara nga nenet 283/a, 287 dhe 333/a të Kodit Penal.
Nga shkëmbimi i të dhënave me Autoritetet Italiane të Drejtësisë dhe konkretisht me Prokurorinë e Firences,Itali (Seksioni Antimafia) janë administruar të dhëna për një grup të strkturuar kriminal, që ushtronte aktivitetin kriminal të trafikimit të lëndëve narkotike nga vendet e Lindjes së Mesme në Shqipëri me destinacion Italinë dhe vende të tjera të BE-së.

Në këto kushte, duke qenë se aktiviteti kriminal i këtij grupi të strukturuar kriminal shtrihej në dy vendet, Itali dhe Shqipëri, është ngritur një Skuadër e Përbashkët Hetimore midis Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë dhe Prokurorisë së Republikës pranë Gjykatës së Firences, Itali, me koordinimin e EUROJUST.

Në kuadër të hetimit të këtij procedimi penal është konstatuar se të dyshuarit e këtij aktiviteti kriminal kanë vepruar në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, duke trafikuar lëndë narkotike nga vendet e Lindjes së Masme,Turqi,Greqi, si dhe vende të tjera drejt Shqipërisë e më pas me destinacion Italinë dhe vendet e tjera të BE-së.

Në vijim janë evidentuar të gjithë pjesëtarët e këtij grupi kriminal dhe më pas është vijuar me veprime proceduriale proaktive për dokumentimin e plotë të këtij aktiviteti kriminal.

Pas një hetimi 2-vjeçarë, SPAK në bashkëpunim me Prokurorinë e Firences, EUROJUST, EUROPOL, Reparti i Karabinierisë Compagnia Borgo San Lorenzo (Firence), Policinë e Shtetit, Zyrën e Interforcës Italiane dhe Agjenci të tjera të zbatimit të ligjit, kanë bërë të mundur dokumentimin e aktivitetit kriminal për 21 anëtarë të grupit të strukturuar kriminal, të përfshirë në disa raste trafikimi të lëndëve narkotike nga vende të Lindjes së Mesme, drejt Shqipërisë dhe nga Shqipëria drejt Maqedonisë së Veriut, Greqisë, Italisë e vendeve të BE-së.
Konkretisht, lënda narkotike e sekuestruar, e llojit “Kokainë”,“Heroinë”,“Marijuanë”, “Risinë”, është siguruar në Siri, Turqi dhe vende të tjera të Lindjes së Mesme, më pas është trafikuar në Greqi, Shqipëri me destinacion Italinë dhe vendet e BE-së.
Gjatë këtij hetimi janë sekuestruar në 8 raste lëndë narkotike të llojit “Kokainë”, “Heroinë”, “Marijuanë”, “Risinë”, “Canabis Sativa”, me një vlerë të përafërt rreth 2 700 000 euro.

Pas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka vendosur masat e sigurimit personal për 21 persona të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” , parashikuara nga nenet 283/a, 333/a, 334, 287 e 259 të Kodit Penal.

Me datë 27.06.2023 është ekzekutuar vendimi i Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për 20 persona nën hetim dhe është shpallur në kërkim ndërkombëtar një person.
Gjatë ekzekutimit të vendimit të gjykatës janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale automjete, pajisje kompjuterike, aparate celular, si dhe vlera monetare.

spak 21 urdhër arrestet

Lini një Përgjigje