
Endrit Bakiu dhe Fadion Çami, dy prej personave ndaj të cilëve SPAK lëshoi urdhër arrest ditën e sotme nën akuzën e grupit të strukturuar kriminal që shpërndante kanabis në formë çokollate, janë arrestuar më parë në shkurt të vitit 2021.
Bakiu, kreu i këtij grupi së bashku me Fadion Çamin janë kapur me 77 pako kanabis në formë çokollate në vendin e quajtur “Mbikalimi i Plepave” në Durrës.
Endrit Bakiu është kapur teksa qarkullonte me makinën e tij tip ‘Porsche’ ku kishte fshehur pakot me marijuanë. Ndërsa Fadjon Çami u arrestua në të njëjtën mbrëmje në makinën tip ‘Audi’ pasi rezultoi të ishte bashkëpunëtor i Bakiut.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lëshuar 21 urdhër arreste për trafik të lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Mësohet se operacioni është zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet italiane prokurorinë e Firences, në disa qytete si Tiranë, Durrës, Elbasan, Vlorë e Korçë.
Lidhur me operacionin pritet të ketë edhe një konferencë për mediat rreth orës 13:30 në SPAK ku do të jepen detajet lidhur me identitetet e 14 prej personave të arrestuar deri më tani ndërkohë që operacioni është ende në vijim.
Lini një Përgjigje