
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump kritikoi presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë. Ky i fundit u detyrua të largohet nga Zyra Ovale pas 20 minutave debat me homologun e tij.
Juristi Kreshnik Spahiu ka ngritur pyetjen nëse Trump do të guxonte të sillej njësoj edhe me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. Spahiu e cilësoi këtë sjellje si strategji të vetë presidentit amerikan.
“Nuk kanë të drejtë të poshtërojnë Zelenskyn dhe përfaqësuesin e Ukrainës në mënyrë publike. Mund të bëhej me dyer të mbyllura, por poshtërimi në publik nuk mund të bëhej. Trump të kërkonte mirënjohje nga Zelensky, por jo në atë mënyrë. A do sillet Trump me Putin njësoj si me Zelenskyn, kur të vizitoj Shtëpinë e Bardhë? Kështu sillet edhe me liderët e tjerë europianë, teksa në të kundërt lavdëron armiqtë”, tha Spahiu për “Report Tv”.
Juristi vuri në dukje edhe përplasjet e Trump me BE-në, por mendon se në fund në tryezë palët nga “kërbaçi do kalojnë te kulaçi”.
“Por edhe BE ka një përplasje të ftohtë me Uashingtonin, sidomos ndërhyrja e administratës së Trump në zgjedhjet e Gjermanisë, taksat e Europës apo akuzat për ndërhyrje nga BE në SHBA. Pavarësisht se Trump përdor kërbaçin, mendoj se në tryezën me BE do vihet kulaçi”, përfundoi Spahiu.
Lini një Përgjigje