TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet30 Dhjetor 2025, 17:03

Shërbyen gjatë sezonit turistik, qeveria shpërblen me 30 mijë lekë efektivët e angazhuar gjatë verës

Shkruar nga Pamfleti
Shërbyen gjatë sezonit turistik, qeveria shpërblen me 30
Patrullimet e policisë gjatë verës

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka vendosur të shpërblejë punonjësit me gradë policore që shërbyen në strukturat vendore gjatë sezonit veror, për angazhimin e tyre në garantimin e rendit dhe sigurisë publike.

Në urdhrin e firmosur nga drejtuesit e Policisë, theksohet se punonjësit do të marrin një shpërblim prej 30 mijë lekësh për "angazhimin dhe përkushtimin profesional të treguar në menaxhimin me sukses të sezonit turistik".

“Të shpërblehen punonjësit e policisë me gradë policore në strukturat vendore me motivacion: ‘Për angazhimin dhe përkushtimin profesional të treguar në menaxhimin me sukses të sezonit turistik, duke garantuar rendin dhe sigurinë publike’, në masën 30.000 lekë”, thuhet në vendim.

Urdhri ngarkon strukturat e burimeve njerëzore në nivel vendor për përgatitjen e dokumentacionit dhe urdhrave përkatës për shpërblim. Efektet financiare do të mbulohen nga buxheti i miratuar për vitin 2025, në programin “Policia e Shtetit”.

Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe pritet të prekë një numër të madh efektivësh të angazhuar në pikat turistike dhe në qytete gjatë muajve të verës, kur fluksi i qytetarëve dhe turistëve sjell nevojë për shtim të forcave të rendit.

Ky shpërblim shihet si një njohje e punës së terrenit në një kohë ku ngarkesa operative për efektivët ka qenë dukshëm më e lartë, ndërkohë që raportet për mungesë motivimi dhe pagesa jo të favorshme në polici janë shtuar në vitet e fundit.

 

policia sezoni turistik

Lini një Përgjigje