TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet17 Gusht 2025, 20:10

"Rusia nuk do të arrijë marrëveshje paqeje", gazetari shqiptar në SHBA tregon lojën e Putinit

Shkruar nga Pamfleti

"Rusia nuk do të arrijë marrëveshje paqeje", gazetari

Gazetari shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Denion Ndrenika ka folur lidhur me bisedimet mes Presidentit Donald Trump dhe Vladimir Putin në samitin historik në Alaskë.

Ai ngriti dyshime lidhur me arritjen e ndonjë marrëveshjeje të qëndrueshme për paqen, ndërsa theksoi se Rusia është e predispozuar të mos e arrijë një zgjidhje të tillë.

Gazetari tha gjithashtu se edhe nëse nënshkruhet ndonjë dokument, ajo do të jetë formale dhe e përkohshme.

“Çfarë më bëri përshtypje ishte qëndrimi i Putinit, i cili përpiqej të theksonte se Alaska ka qenë një territor rus dhe se Rusia është një fqinj i afërt i SHBA-së, pavarësisht oqeaneve që e ndajnë. 18-20% e Ukrainës është nën sundimin rus. Unë besoj se Rusia kurrë nuk do të arrijë një marrëveshje paqeje. Edhe nëse nënshkruhet ndonjë dokument, ajo do të jetë vetëm formale dhe e përkohshme”, tha Ndrenika, duke kujtuar bisedimet e 5 dhjetorit 1994 në Budapest, kur Ukraina shkëmbeu arsenalin e saj bërthamor me Rusinë dhe mori premtime për integritetin territorial.

“Shefi i shërbimit sekret ukrainas atëherë tha se brenda 20 viteve Rusia do të sulmojë Krimenë dhe kjo ndodhi në 2014. Pra, është pothuajse e pamundur që Rusia, si një popull sllav me mentalitet të ngjashëm me serbët në Ballkan, të respektojë një marrëveshje paqësore. Dhe është shumë e vështirë që ajo të lejojë zhvillimin demokratik në terren”, shtoi ai në një intervistë për “Euronews Albania”.

Ndrenika tha gjithashtu se sigurisht që Rusia ka interesa për të arritur një marrëveshje me Ukrainën, por kjo do të jetë shumë e vështirë pasi është e pamundur që të kënaqen të dyja palët.

“Sigurisht që Rusia ka interesa për paqe, qofshin ato për futjen e gjuhës ruse në Ukrainë apo për mbrojtjen e komunitetit rus atje. Por në një marrëveshje përfundimtare paqësore, kërkesat e Rusisë janë të papranueshme, pasi pala tjetër nuk do të pranojë që katër territore të jenë nën kontrollin rus. Pra, është shumë e vështirë të arrihet një marrëveshje që kënaq të dyja palët, nëse Rusia mban këtë qëndrim”, përfundoi gazetari.

Lini një Përgjigje