Reshjet intensive të shiut gjatë natës shkaktuan përmbytje në disa zona urbane të qytetit të Lezhës, pasi sistemi i kanalizimeve nëntokësore nuk arriti të përballojë volumin e lartë të ujërave.
Për pasojë, uji doli në sipërfaqe dhe përfshiu rrugë në blloqet e banimit “11 Janari” si dhe në zonën “11.2 hektarë” në lagjen “Besëlidhja”. Niveli i ujit vështirësoi ndjeshëm lëvizjen e këmbësorëve dhe qarkullimin e automjeteve.
Policia Bashkiake ndërhyri duke bllokuar disa akse rrugore dhe duke orientuar mjetet drejt itinerareve alternative për të garantuar sigurinë.
Situatën e ndikuan edhe punimet që po zhvillohen prej disa muajsh në rrjetin e kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të zeza. Projekti synon të reduktojë rrezikun e përmbytjeve në qytet, por aktualisht ka ngadalësuar evakuimin e ujërave.
Reshjet sollën gjithashtu ndërprerje të furnizimit me energji elektrike në qytet dhe në disa fshatra përreth. Grupet e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ndodhen në terren për riparimin e defekteve dhe rikthimin e energjisë në zonat e prekura.
Lini një Përgjigje