Në fokus të verifikimeve kanë qenë procedurat për ndarjen apo parcelizimin e hapësirave të plazheve, si edhe kontratat e lidhura gjatë këtyre viteve.
Prokuroria e Vlorës ka zbarkuar në ambientet e Bashkisë së Vlorës, ku dy oficerë të Policisë Gjyqësore (OPGJ) janë paraqitur me urdhër sekuestrimi për një sërë dosjesh që lidhen me Zyrën e Aseteve.
Sipas informacioneve, dokumentacioni i kërkuar i përket periudhës 2023–2025. Në fokus të verifikimeve kanë qenë procedurat për ndarjen apo parcelizimin e hapësirave të plazheve, si edhe kontratat e lidhura gjatë këtyre viteve. Po ashtu, objekt verifikimi janë edhe disa sipërfaqe publike, për të cilat dyshohet se mund të jenë dhënë në përdorim në mënyrë të parregullt.
Mësohet se ndërhyrja e Prokurorisë ka ardhur si pasojë e denoncimeve të mëparshme nga qytetarë dhe subjekte të ndryshme, të cilët kanë ngritur shqetësime për abuzime të mundshme në dhënien e hapësirave publike dhe përfitime të padrejta nga persona të caktuar.
Burime bëjnë me dije se oficerët e OPGJ-së kanë qëndruar në ambientet e bashkisë nga ora 13:00 deri rreth orës 23:00, duke kryer verifikimet përkatëse dhe duke administruar dokumentacionin e nevojshëm për hetimin.
Në përfundim të veprimeve, Prokuroria e Vlorës ka sekuestruar dosjet dhe kontratat që lidhen me menaxhimin dhe dhënien në përdorim të plazheve për periudhën në fjalë. Ndërsa, nuk ka ende një njoftim zyrtar mbi zbardhjen e plotë të hetimit apo personat që mund të jenë nën verifikim.
e njejta gje ka ndodhur dhe ne DURRES,,,,,,bile dhe me keq,,,,,,ja vlen qe prokuroria te beje verifikime dhe aty,