Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka njoftuar se gjatë mbrëmjes së djeshme 21 persona janë paraqitur për ndihmë mjekësore në Spitalin Universitar të Traumës dhe në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, pas incidenteve gjatë protestës.
Sipas të dhënave zyrtare, 19 nga personat e paraqitur ishin efektivë të Policisë së Shtetit. Ndër të lënduarit rezulton edhe deputeti i Partisë Demokratike Bledion Nallbati, si dhe një qytetar.
Në Urgjencën e Spitalit Universitar të Traumës janë paraqitur 10 efektivë policie, deputeti Nallbati dhe qytetari me inicialet K.K. Të gjithë kanë marrë trajtimin përkatës nga ekipet mjekësore, në përputhje me protokollet.
Pas ndihmës së dhënë, 9 efektivë policie janë larguar nga spitali me rekomandim mjekësor, ndërsa një prej tyre është transferuar në QSUT, në Shërbimin e Toksikologjisë, për shkak të vështirësive në frymëmarrje. Ministria bën me dije se deputeti Nallbati është trajtuar dhe më pas është larguar nga spitali me këshilla mjekësore. Qytetari K.K vijon të marrë trajtim në Spitalin e Traumës dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë paraqitur 10 efektivë të tjerë policie, të cilët kanë shfaqur kryesisht probleme të lidhura me intoksikacion dhe djegie në gjymtyrë.
Nga këta, 7 efektivë kanë marrë trajtim ambulator dhe janë larguar, ndërsa 3 të tjerë janë shtruar për trajtim të mëtejshëm për shkak të gjendjes shëndetësore.
Mbyllje:
Ministria vijon të ndjekë gjendjen e të lënduarve, ndërsa spitalet universitare kanë aktivizuar ekipet përkatëse për përballimin e rasteve të paraqitura pas protestës.
Policia e filloi gjithe gjullurdine dhe vec kesaj nuk na thate SE nga se Jane te lenduar efektivet,nga goditjet e protestuesve apo nga gazi lotsjelles?nuk rrezohet qeveria me foltore,as me PD,SE besimi I njerezve ka humbur ndaj opozites,duhet organizim serioz