Moti parashikohet i paqëndrueshëm, me vranësira dhe reshje të herëpashershme në veri, qendër dhe zonat malore
Ditën e hënë vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të paqëndrueshme. Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, moti do të karakterizohet nga kthjellime dhe alternime vranësirash mesatare deri të dendura, më të theksuara në relievet malore të lindjes.
Gjatë orëve të mesditës dhe pasdites priten reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët në zonat veriore, qendrore, si edhe në relievet malore në lindje dhe jug të vendit. Në zonat e larta malore në veri, lindje dhe jug, reshjet mund të shoqërohen lokalisht edhe me shtrëngata afatshkurtra.
Era do të fryjë me drejtim jugperëndim – juglindje, me shpejtësi mesatare rreth 6 metra për sekondë, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe në lugina pritet të arrijë deri në 17 metra për sekondë.
Ndërkohë, deti parashikohet me valëzim të forcës 3 deri në 4 ballë në detet Adriatik dhe Jon.
Temperaturat minimale dhe maksimale do të luhaten nga 9 deri në 26 gradë Celsius, ku vlerat më të ulëta priten në zonat verilindore dhe ato më të larta në ultësirën perëndimore dhe jug të vendit.


Lini një Përgjigje