Aktori i njohur i humorit, Agron Llakaj, ka ndarë detaje të rralla nga jeta e tij artistike dhe peripecitë që ka kaluar gjatë karrierës, duke treguar për herë të parë presionet dhe kërcënimet që mori pasi imitoi ish-presidentin Sali Berisha në fund të viteve ’90.
Në rrëfimin e publikuar në kanalin e tij në YouTube, me titull “Jeta ime”, Llakaj kujton se imitimi i parë i Berishës u realizua në Tepelenë, në kulmin e tensioneve politike të kohës.
Sipas tij, reagimi i publikut ishte shumë pozitiv, por situata ndryshoi menjëherë pas shfaqjes, kur përfaqësues të Partisë Demokratike në Tepelenë e paralajmëruan për pasoja serioze.
“Më thanë se kisha cenuar figurën e presidentit dhe se mund të shkoja në burg”, rrëfen aktori.
Llakaj tregoi se pas shfaqjes u përball edhe me paralajmërime nga persona të sistemit të drejtësisë, të cilët i sugjeruan të largohej për të shmangur ndjekjen penale.
“Më thanë: ik sa më parë, sepse mund të vijë autorizimi për të të ndjekur penalisht”, kujton ai.
Humoristi foli edhe për periudhën kur, së bashku me aktorin e ndjerë Koço Devole, drejtonte emisionin “Telebingo Shqiptare”, një nga formatet më të ndjekura të kohës.
Në rrëfimin e tij, Llakaj zbuloi gjithashtu një episod tjetër nga viti 1998, kur ish-kryeministri Fatos Nano i kishte kërkuar të imitonte Sali Berishën gjatë një takimi politik në Vlorë.
Sipas aktorit, kërkesa kishte për qëllim të krijonte humor në aktivitet, por ai vendosi ta refuzonte për shkak të frikës nga reagimet e mundshme.
“Kisha frikë se mos ndonjë mbështetës i Berishës më qëllonte”, u shpreh Llakaj.
Aktori theksoi se klima politike e asaj periudhe ishte tepër e tensionuar dhe se imitimet politike shpesh shoqëroheshin me reagime të forta.
Lini një Përgjigje