Eksperti i shëndetit publik, Erion Dasho, ka folur lidhur me hantavirusin, i cili së fundmi ka rikthyer vëmendjen e autoriteteve ndërkombëtare shëndetësore.
Dasho u shpreh se në Shqipëri rastet janë sporadike, por variantet që qarkullojnë në rajon konsiderohen më agresive dhe me shkallë më të lartë vdekshmërie krahasuar me disa vende të tjera europiane.
Sipas tij, hantaviruset janë një familje e gjerë virusesh që transmetohen kryesisht nga brejtësit te njeriu.
“Kjo nuk është diçka e re, është konstatuar prej më shumë se 10 vitesh në Kili dhe Argjentinë, ku pacientët kanë infektuar edhe mjekët që nuk kanë respektuar masat mbrojtëse. Hantaviruset janë një familje e madhe virusesh me pasoja të ndryshme klinike te njeriu”, deklaroi Dasho.
Ai shpjegoi se hantavirusi i njohur si “i Andeve”, i cili ka qarkulluar në Amerikën Jugore, ka edhe aftësinë e transmetimit nga njeriu te njeriu.
“Hantavirusi në fjalë njihet si i Andeve sepse ka qarkulluar lirisht në Amerikën Jugore. Karakteristika e hantaviruseve janë kalimi nga brejtësit te njeriu. Hantavirusi i Andeve ka edhe mundësinë e kalimit nga njeriu te njeriu. Kjo nuk është diçka e re, ka më shumë se 10 vite që është konstatuar në Kili dhe Argjentinë, zona ku ai qarkullon. Pacientët kanë infektuar mjekët që janë kujdesur pa respektuar masat”, u shpreh ai për "News 24".
Eksperti theksoi se në Shqipëri rastet janë të rralla dhe numërohen me “gishtat e dorës”, ndërsa kujtoi se ka pasur edhe një shpërthim në vitet ’80.
“Rastet në Shqipëri janë sporadike, numërohen me gishtat e dorës. Ka pasur një shpërthim në vitet ’80, por momentalisht janë shumë të rralla. Shumica e rasteve kalojnë si një virozë e zakonshme”, tha Dasho.
Megjithatë, ai paralajmëroi se në rastet kur shfaqen komplikacione, variantet që qarkullojnë në Ballkan mund të rezultojnë më të rrezikshme.
“Por në rastet me komplikacione, variantet që transmetohen në Shqipëri janë agresive dhe kanë një vdekshmëri më të lartë në krahasim me hantaviruset që janë në Gjermani apo vende të tjera. Fati i keq i Ballkanit është që hantavirusi që prek minjtë e vegjël të arave, që ka një shenjë të verdhë në qafë dhe njihet edhe si miu i verdhë i arave, bëhet bartës i hantavirusit të Beogradit dhe ka një shkallë vdekshmërie të lartë kur komplikohet me komplikacione pulmonare”, deklaroi ai.
Dasho shpjegoi gjithashtu mënyrat kryesore të transmetimit të virusit, duke theksuar se kontakti me jashtëqitjet dhe urinën e brejtësve mbetet rreziku kryesor.
“Ky virus e ka prekur Shqipërinë, është aktiv prej disa dekadash. Varet vetëm nëse qytetarët kanë kontakt me jashtëqitjen dhe urinën e minjve. Kur ato nuk pastrohen dhe thahen, më pas kthehen në pluhur dhe grimcat mund të merren nëpërmjet rrugëve të frymëmarrjes. Variantet e tjera janë nga kafshimi i brejtësve ose kur jashtëqitjet e tyre kontaminojnë ushqimin”, përfundoi Dasho.
Lini një Përgjigje