Ish-ministri i Shëndetësisë ka paraqitur në Gjykatën e Posaçme një kërkesë të re, ku kërkon zëvendësimin e masës së sigurimit “arrest me burg” me një masë tjetër më të lehtë, duke ofruar edhe një garanci pasurore në vlerën 20 mijë euro.
Këtë herë kërkesës i është bashkangjitur edhe vendimi unifikues i Gjykatës së Lartë, i cili ka mbajtur qëndrim lidhur me aplikimin e masave të sigurimit personal si “arrest me burg”.
Beqaj aktualisht ndodhet në masën e sigurisë “arrest me burg” në kuadër të hetimeve të çështjes së njohur si dosja e SPAK.
Ndërkohë në procesin gjyqësor për dosjen Saspac, ku të akuzuar janë disa persona, në mesin e të cilëve edhe ish zyrtari Ilir Beqaj, Prokuroria e Posaçme paraqiti para gjykatës një provë të re.
SPAK solli si provë të re në proces një laptop, i cili është sekuestruar më herët, në pronësi të Alfred Nikollit. Konkretisht, prova e re që iu paraqit gjyqtares Elsa Ulliri ishte një tabelë Excel-i, e cila përmbante të dhëna për shpenzimet e kryera nga Nikolli në eventin “Festa”.
Beqaj ndodhet në burg që prej 4 korrikut 2024, kur u arrestua lidhur me dosjen e abuzimeve me fondet e Bashkimit Evropian në SASPAC.
Sipas SPAK, Ilir Beqaj, në cilësinë e drejtorit të Përgjithshëm i SASPAC-ut, ka urdhëruar Kurtulajn, me të cilin kishte njohjet të hershme pasi kanë qenë ortak të shoqërisë Intech+, që të zbatojë vetëm përgjatë viteve 2022-2023 prokurime fiktive në kundërshtim me ligjet e BE për projektet e EUSAIR, paratë e të cilave përfundonin në xhepat e Beqajt. Tenderat, sipas SPAK, bëheshin vetëm për efekt dokumenti dhe më vonë se nga lidhja dhe zbatimi i kontratës me kompani të ndryshme.
Lini një Përgjigje