
Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, deklaroi se partitë politike shqiptare “janë kthyer në Sh.P.K., me pronarë të vetëm 100% kryetarët e partive”.
Ai deklaroi se ky lloj organizimi i partive e ka vrarë demokracinë e brendshme në të dy krahët e politikës shqiptare.
“Pas ndryshimeve kritike të vitit 2008, partitë politike ndryshuan. Nga organizma ku kishte një lloj debati, një lloj gjallërie, mendim, alternativë, kundërshtim, partitë u kthyen në SHPK me pronarë të vetëm 100% kryetarët e partive. Kjo e vrau demokracinë e brendshme, në të dy krahët. Dhe po t'i shikojmë zhvillimet e mëtejshme brenda partive politike, ato kanë qenë gjithmonë në regres”, tha Malaj në një lidhje direkte me studion e "Terminal" në A2CNN.
Ai solli në vëmendje platformën që solli në vitin 2021 në PS-së, por që Rama e refuzoi se duhej të vinin në pushtet fillimisht, më pas të modernizohej partia.
“Ky ka qenë dhe debati im me Ramën në vitin 2011, kur unë prezantova platformën ku në thelb ishte debati që partitë duhet të modernizohen përpara se të vijnë në pushtet, ndërsa Rama mbrojti idenë që duhet të vijnë në pushtet, pastaj do modernizohen. Por, e vërteta ndodhi pastaj që pushteti është përqëndruar thelbësisht në mënyrë absolute te Rama, qoftë brenda partisë, qoftë brenda qeverisë, dhe ne dimë nga leksionet politike që pushteti absolut është absolutisht i korruptuar”, shtoi Malaj.
Sipas tij, “mosmodernizimi i forcave politike krijon një kosto në qeverisjen e vendit”.
“Unë mendoj që është mirë që njerëzit, sidomos ata që përbetohen se i shërbejnë vendit të tyre nëpërmjet pjesëmarrjes në partitë politike, t'i përmbahen minimalisht betimit që bëjnë në Parlament. Aty nuk ka betim për kryetarin e partisë, aty ka betim për vendin tend”, theksoi më tej Arben Malaj.
Lini një Përgjigje