
RTSH vijon të mbetet çerdhe abuzimi, ja gjetjet e KLSH...
Vijojnë të shtohen faktet dhe të dhënat se Radiotelevizioni Publik Shqiptar është një çerdhe abuzimi. Sot u bë e ditur se ka pasur interes të shtuar për të marrë drejtimin e RTSH, teksa arsyeja duket se është e qartë: Aty gëlojnë milionë e miliona lekë dhe në gjithë këto vite të gjithë drejtuesit kanë mbushur xhepat.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zhvilluar një auditim në RTSH për periudhën 01.01.2020 deri me datë 30.06.2023. Në këtë auditim janë zbuluar pa fund shkelje dhe abuzime, disa nga të cilat po i rendisim më poshtë.
Sipas KLSH, për vitin 2022 RTSH ka zhvilluar 17 emisione, janë angazhuar 56 punonjës të RTSH dhe ka shpenzuar për paga në vlerën 15,187,939 lekë dhe për honorare po për këta punonjës në vlerën 14,754,400 lekë, totali i shpenzimit në vlerën 29,942,339 lekë. Për 6-mujorin e parë të vitit 2023 RTSH ka zhvilluar 10 emisione janë angazhuar 35 punonjës të RTSH dhe ka shpenzuar për paga në vlerën 12,961,997 lekë dhe për honorare po për këta punonjës në vlerën 12,780,660 lekë, totali i shpenzimit në vlerën 25,742,657 lekë.
“Sa më sipër në RTSH për 27 emisione me angazhim 91 punonjës, është krijuar një marrëdhënie juridike e shitblerjes së të drejtave, të realizuara në mjedisin e punës, orarin zyrtar dhe në funksion të detyrimeve që rrjedhin nga pozicioni sipas kontratave individuale të punës. Duke krijuar në këtë mënyrë një standard të dyfishtë, në marrëdhëniet e pagave dhe të shpërblimeve me punonjësit e RTSH. Vlera 27,535,060 lekë përbën dëm ekonomik për RTSH dhe Buxhetin e Shtetit dhe duhet të dëmshpërblehet nga E. J, me detyrë ish-Drejtor i Përgjithshëm dhe E. D., me detyrë ish-drejtor i Drejtorisë Ekonomike”, shprehet RTSH.
-Në procedurën e prokurimit me objekt: Blerje shërbimi për mirëmbajtjen e rrjetit të shpërndarjes DVB-T2, viti 2020 me vlerë 7,330,000 euro pa TVSh, viti 2021 kualifikimi, shpallja fitues e operatorit ekonomik “R. & Sch, O, G,” , nga KVO, si dhe lidhja e kontratës, është kryer në mënyrë të padrejtë.
-Në procedurën e prokurimit me objekt: Blerje karburanti viti 2021 për vlerën 32,415,472 lekë, kualifikimi, shpallja fitues e bashkimit të operatorëve ekonomik “O.” shpk & “P. R. O.,” sh.a, si dhe lidhja e kontratës, është kryer në mënyrë të padrejtë.
-Në procedurën e prokurimit blerje “Pajisje ndriçimi për nevoja të RTSH” për vlerën 14,314,505 lekë, viti 2023, në specifikimet teknike janë vendosur parametra teknik fiks të cilat nuk sigurojnë mundësi të barabarta për të gjithë ofertuesit si: Përmasa dhe pesha fiks e ndriçuesve (psh; ndriçues të lëvizshëm led spot; pesha: 16 kg; përmasat: 312 x 222 x 590 mm, etj), parametra që kanë orientuar operatorët ekonomik drejtpërdrejtë një prodhuesi/ofertuesi në treg, që është Shoqëria “F. E.”Shpk.
-Veprime pa delegim kompetence, mos ruajte/fshirje në arkivën numerike të RTSH të transmetimit të reklamave. Në 7 kontrata për transmetim reklame, media planet e transmetimit janë firmosur nga E. K., me detyrë ish-drejtor i shitjes dhe menaxhimit, pa delegim kompetence. Nga verifikimi në arkivën numerike u konstatua që ndeshjet janë të ruajtura bruto pa prerje dhe editime net. Reklamat e transmetuara nuk janë të ruajtura, janë fshirë, janë shkëputur nga ndeshjet e transmetuara dhe të arkivuara.
-Në projektin artistik “Festivali i 61 i këngës në RTSH”, viti 2022 pesë funksione i përkasin dy personave nga një familje: Konkretisht drejtor artistik; autor skenari; prezantues; anëtar të komisionit të përzgjedhjes së këngëve dhe regjisor.
-Me urdhër transfertë pa numër, datë 13.01.2023 nëpërmjet R. B., është likuiduar “A. O.” Në vlerën 1,627,750 lekë për projekti artistik “Festivali i 61 i këngës në RTSH”. Dokument vërtetues: Kontrata nr. 563/140 prot., datë 16.12.2022 në cilësinë e drejtorit artistik për vlerën 700,000 lekë, kontratë e firmosur për RTSH nga R. N., në cilësinë e z/drejtorit të përgjithshëm të RTSH dhe A. O..
-Nga dokumentacioni i vënë në dispozicion të grupit të auditimit, për periudhën 01.01.2022-30.06.2023 nuk vërtetohet kryerja e shpenzimeve për karburantin, për automjetin me targë A. T.dhe A. B., për sasinë 2805 litra me vlerë 553,895 lekë, pasi një pjesë e dokumentacionit justifikues bazë është me mangësi.
-Nga RTSH nuk provohet/dokumentohet që drejtori artistik A. A. Z., të ketë qenë në Shqipëri, duke ushtruar detyrën e udhëheqësit artistik të OSRTSH, për datat 26 shtator 2022; 7 tetor 2022; 1 nëntor 2022; 22 nëntor 2022; 9. nëntor 2022; 30 dhjetor 2022; 17 janar 2023; 15 janar 2023; 6 shkurt 2023; 8 shkurt.2023; 17 shkurt 2023; 27 shkurt 2023; 2 prill 2023; 4 prill 2023; 7 prill 2023; 12 prill 2023; 7 prill 2023; 19 prill 2023; 28 prill 2023; 4 maj 2023; 18 maj 2023; 22 nëntor 2023; 19 maj 2023; 29 maj 2023; 13 qershor 2023 dhe 27 qershor 2023, duke mos argumentuar dhe dokumentuar për saktësinë dhe vërtetësinë e shpërblimit të marr nga drejtori artistik A. A. Z., për periudhën 07.09.2022 deri më 30.06.2023.
-Në 18 shkresa përcjellëse hartuar nga drejtori artistik A. A. Z., drejtuar E. D. dhe titullarëve për likuidim honorarësh për koncerte etj., shkresat nuk janë dokumente zyrtare, pasi emri dhe mbiemri i nënshkruesit dhe firma janë fotokopje, shkresa të cilat edhe pse nuk janë sipas kërkesave ligjore, janë protokolluar në Institucion, për më tepër pa qenë prezent përpiluesi i tyre
-Nga auditimi i nivelit të pagave të miratuar nga këshilli drejtues me vendim nr. 28, datë 22.07.2021 dhe nr. 34, datë 07.12.2022 “Për miratimin e ndryshimit të librit të pagave të RTSH”, u konstatua që klasifikimi nuk është bërë duke vendosur kritere specifike për çdo pozicion pune siç janë: Niveli i diplomës, arsimimi/kualifikimi, natyra e punës, kushtet e punës, formimi profesional, vjetërsia në punë, vështirësia, përvoja dhe përgjegjësitë, njohuritë nga eksperienca në vite, trajnimet, specializimet si kusht për të garantuar barazinë në vendosjen e pagave.
-Këshilli Drejtues nuk është mbledhur sipas përcaktimeve ligjore. Konkretisht Këshilli Drejtues nuk është mbledhur në periudhën janar-shkurt dhe qershor-gusht (31.08.2020) të vitit 2020. Për sa më sipër nuk është zbatuar Ligji nr. 97/2013
-Për përzgjedhjen e anëtarit të Bordit të Administrimit Z. A. B., Këshilli Drejtues nuk i është përmbajtur plotësisht Ligjit 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, pasi Z. A. B., ka përfunduar arsimin e lartë për Inxhinieri Mekanike dhe nuk ka një eksperiencë të lidhur ngushtë në fushën e financave dhe ekonomisë. Duke pasur në vëmendje se kandidatët për tu bërë pjesë e Bordit të Administrimit duhet të kenë njohuri ekonomiko-financiare sipas Nenit 107 pika 2 të Ligjit 97/2013 dhe për të përmbushur siç duhet detyrimet e Nenit 111 të Ligjit 97/2013, Këshilli Drejtues duhet të kishte përzgjedhur ata kandidatë të cilët plotësojnë tërësisht kushtet.
-Emërimi i Drejtuesit të RTSH-së për qytetin e Korçës Z. S. Y., është bërë në kushtet kur nuk ka paraqitur platformën dhe strukturën programore e organizative për vendin e punës ku ai kandidon, konkretisht si drejtues i njësisë administrative të RTSH në qytetin e Korçës. Paraqitja e platformës dhe strukturës programore vlerësohet nga Drejtori i Përgjithshëm E. J., kompetencë referuar Statutit të RTSH konkretisht Neni 13 pika 2 dhe Neni 14 pika 1.a. Shpallja fitues e këtij kandidati mbart sjell risk për mos realizimin e objektivave dhe besueshmërisë për drejtuesit e njësive administrative në përbërje të RTSH.
-Gjatë auditimit të procedurës së prokurimit me vlerë të vogël me objekt “Blerje sistem konference për RTSH-në”, për vlerën 760,000 lekë, të vitit 2021 u konstatua se në ftesën për ofertë ishte përcaktuar lista e mallrave për tu prokuruar nga ana e AK. Zërat e kërkuara nga AK nuk përputhen me faturën përfundimtare ku megjithëse janë mallra të bashkuara me njëri tjetrin, në faturën përfundimtare janë trajtuar si mallra të ndara nga njëri tjetri.
-Politikat e burimeve njerëzore që lidhen me rekrutimin, emërimin, trajnimin, vlerësimin e performancës, avancimin në detyrë dhe veprimet disiplinore shfaqin dobësi. Në mënyrën e funksionimit dhe organizimit, Institucioni ka një manual të vitit 2004 për shpalljet e vendeve vakante, procedurat, rekrutimin e stafit etj., i cili nuk ka gjetur zbatim në praktikë, si dhe nuk është përditësuar bazuar ndryshimeve të Kodit të Punës, politikave dhe praktikave të reja të menaxhimit të burimeve njerëzore.
-RTSH për të gjitha projektet artistike dhe filmike nuk ka marrë masat e nevojshme për ndjekje dhe realizimin e kontratave të projekteve sipas përcaktimeve të rregullores të miratuar nga Këshilli Drejtues “Rregullore e miratimit dhe e zbatimit të projekteve filmike, artistike dhe të blerjes së të drejtave” (Më hollësisht trajtuar në pikën 2.9, faqet 229 – 266 të Raportit Përfundimtar të Auditimit).
-Nga auditimi u konstatua se, RTSH nuk ka tregues konkretë lidhur me mënyrën e matjes së punës së mirë të punonjësve, mbi bazën e të cilëve të jenë dhënë shpërblimet. Lidhur me shpërblimet për punë të mirë, në vitin 2020 është shpenzuar vlera 1,990,000 lekë. Në vitin 2021 janë dhënë shpërblime për punë të mirë në vlerën 2,033,000 lekë. Ndërsa për periudhën nga data 01.01.2023-30.06.2023 është dhënë shpërblim për punë të mirë në vlerën 104,000 lekë për një punonjësit. Pra, vlera totale e shpërblimeve për punë të mirë përgjatë periudhës së auditimit (nga data 01.01.2020-30.06.2023) është 5,127,000 lekë. Kjo gjë ndikon në pakësimin e buxhetit të RTSH-së dhe në lindjen e pakënaqësive midis stafit të punonjësve të RTSH-së, pasi supozohet të ketë meritokraci dhe transparencë gjatë dhënies së shpërblimeve. Këto veprime janë në mospërputhje me Kodin e Punës.
-Nga V. L., me detyrë ish-shefe e kontabilitetitt është prerë mandat pagesa, pa numër, për vlerën 4,150 euro, për pagesë A. Ç., për udhëtim dhe dieta me detyrë shofer gazetar i RTSH, por mandat pagesa nuk është firmosur nga marrësi i kësaj shume, si dhe nga arkëtari, pasi nuk ka arkëtar.
-Nga këshilli drejtues të rishqyrtohet vlera 3,153,001 lekë. Kjo vlerë ka të bëjë me pagesën e punonjësve të RTSH për realizimin e projektit artistik “Festivali i 61 i këngës në RTSH”, viti 2022, mbi pagesën mujore të tyre, vlerë e cila ka rënduar padrejtësisht buxhetin e RTSH. RTSH nuk duhet te miratonte këtë fond që në planin e biznesit të vitit 2022, pasi menaxhimi nuk ka përcaktuar qartë domosdoshmërinë e planifikimin e këtij fondi dhe zbatimin e rregullave dhe procedurave që sigurojnë përdorim efiçent, efektiv dhe ekonomik të burimeve financiare publike etj. Të evidentohen përgjegjësitë dhe të merren vendimet përkatëse, pasi kjo vlerë për RTSH dhe Buxhetin e Shtetit, përbën dëmin ekonomik.
-Nga V. L., me detyrë ish-shefe e kontabilitetit është prerë mandat pagesa pa numër datë 04.02.2022, pa nr. serie për vlerën 1,040 euro, për pagesë C. G., shtetas nga Franca, mandat pagesa e firmosur me firmë të sigluar në këtë mënyrë pa dalluar saktësisht se kush është marrësi i parave. Urdhër shërbimet për jashtë vendit për llogari të C., firmosur me firmë të mbyllur, i pa dallueshëm se kush ka udhëtuar
-Me urdhër transfertën pa nr. datë 12.12.2023 nëpërmjet Raiffeisen Bank është likuiduar Shoqëria “P.” shpk në vlerën 2,033,208 lekë për emisionin “Ti duhet ta dish”, për marrjen me qira të pajisjeve: Nriçues profile led copë 14, ndriçues led RGBV me zom copë 9, ndriçues të lëvizshëm led spot copë 10, ndriçues të lëvizshëm ledwash copë 10, ndriçues efekti televiziv 2 modele copë 10, pajisje komandimi ndriçimi copë 1, filtra të ndryshëm për ndriçuesit, frost, minus green, cosmetic nga 1 set copë 2, artnet node copë 1, splitera ndriçimi copë 2, ledwall m2.
RTSH nuk ka të dokumentuar inventarin e aparaturave të marra me qira, përcaktimin dhe referencat e çmimit dhe personat që i kanë përcaktuar, miratuar këto çmime. Nuk ka vendim të bordit artistik për këtë emision. /Pamfleti
Lini një Përgjigje