TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet21 Janar 2025, 16:03

Masakra e Urës Vajgurore, SPAK kërkon burgim të përjetshëm për Fran Marashin; ç’ndodhi 28 vjet më parë

Shkruar nga Pamfleti

Masakra e Urës Vajgurore, SPAK kërkon burgim të

Pas një mitingu të Partisë Socialiste, forcat e policisë ktheheshin në Berat me mjetet e tyre, kur janë qëlluar me armë 150-200 metra larg vilës së Protoduarëve. Autoblinda e policisë ka ulur kapakët dhe është nisur në drejtim të sheshit në qendër të qytetit, por pa bërë 50-60 m rrugë, është goditur nga një predhë antitank nga vila e Protoduarëve.

SPAK kërkon burgim të përjetshëm për Fran Marashin, një prej anëtarëve të bandës që kreu masakrën në Urën Vajgurore në 1997, duke vrarë 5 punonjës policie. Në sulmin me armë të rënda ndaj automjetit të policisë në atë kohë mbetën të plagosur edhe 6 punonjës të tjerë të Policisë së Shtetit.

Gjykimi për Fran Marashin po zhvillohet në GJKKO, e cila mori përsipër rigjykimin e një prej ngjarjeve më të rënda të ndodhura në vitin e mbrapshtë 1997.

Pas rigjykimi të dosjes prokurori Alfred Shehu këtë të martë në GJKKO ka lexuar konkluzionet përfundimtare dukë kërkuar mbylljen në burg për jetë për Fran Marashin. Tashmë në seancën e radhës do të jetë fjala e mbrojtjes dhe më pas vendimi i gjykatës mbi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme. Për këtë ngjarje më herët nga gjykatat janë dhënë dhe 3 burgime të përjetshme.

Fran Marashi, i dënuar në mungesë me burgim të përjetshëm për masakrën, po riigjykohet në GJKKO pasi Gjykata e Lartë vendosi rikthimin e çështjes në shkallë të parë .

Marashi u ekstradua nga Italia në 2007, ndërsa në 2009 tentoi të arratisej nga burgu i Burrelit bashkë me Preng Lleshin, anëtar tjetër i bandës së Urës Vajgurore, për të tërhequr vëmendjen që procesi ndaj tij të rihapej.

Në dhjetor 2024, Fran Marashi është vendosur në regjimin “41-Bis”, në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale të sigurisë së lartë në Peqin për një periudhë njëvjeçare.

Ç’ndodhi në 1997

Fran Marashi akuzohet për ngjarjen e datës 17 qershor 1997, ku u vranë pesë punonjës policie dhe u plagosën 6 të tjerë.

Pas një mitingu të Partisë Socialiste, forcat e policisë ktheheshin në Berat me mjetet e tyre, kur janë qëlluar me armë 150-200 metra larg vilës së Protoduarëve. Autoblinda e policisë ka ulur kapakët dhe është nisur në drejtim të sheshit në qendër të qytetit, por pa bërë 50-60 m rrugë, është goditur nga një predhë antitank nga vila e Protoduarëve.

Dëshmitari okular Lulzim Nexhipi ka thënë se në këtë moment mbi blindin e policisë janë hedhur shishe me lëndë djegëse si dhe është parë Lek Lorja e Fran Marashi që kanë hipur në tank. Pas kësaj janë dëgjuar dy gjuajtje të fuqishme dhe blindi ka marrë zjarr, ku si pasojë kanë gjetur vdekjen duke u djegur brenda në blind policët Miltiadh Koçi, Arjan Shemuni, Asllan Selami dhe Ilia Bano si dhe janë plagosur dy policë Thimi Tanku dhe Ylli Dhamo.

Nga të shtënat është vrarë edhe shtetasi Ilir Bani, i cili ndodhej në atë moment rastësisht. Sipas prokurorisë, autorë të krimit ishin anëtarët e bandës së drejtuar nga familja Protoduari me bazë në vilën e kësaj të fundit në Berat. Pas hapjes së depove, kjo bandë e lidhur edhe me policinë lokale, kishte kryer vepra penale si grabitje me dhunë pasi anëtarët e saj të armatosur ngrinin postblloqe nëpër qytet duke u marrë paratë qytetarëve me kërcënimin për ti vrarë.

Të dënuar për masakrën e 1997 janë:


1. Musa Protoduari, me burgim të përjetshëm


2. Shkëlqim Protoduari, me burgim të përjetshëm


3. Fran Marashi, me burgim të përjetshëm


4. Fatbardha Protoduari, me 25 vjet burg,


5. Sokol Ndreu


6. Gjovalin Ndreu


7. Preng Miri


8. Gjelosh Miri

Lini një Përgjigje