Avokati dhe njohësi i të drejtës ndërkombëtare Isuf Shehu, ka komentuar deklaratata e kryeministrit Edi Rama për daljen nga Gjykata e Arbitrazhit, pas gjyqit të humbur me biznesmenin italian Francesco Becchetti.
Shehu tha se dalja nga Arbitrazhi do të ketë pasoja të rënda për shtetin shqiptar pasi investitorët e huaj nuk do të kenë garanci ndaj vendimeve arbitrare të qeverisë nëse investojnë.
“Ne mund të dalim nga gjykata ndërkombëtare por pasojat do të jenë shumë të rënda edhe për ato procese që kanë ndodhur deri dje, palët mund t’i drejtohen Gjykatës së Arbitrazhit, sepse lidhe me efektin e marrëveshjes në kohë, që do të thotë që gjykata do të jetë kompetente për ato raste që konflikti ka ndodhur që marrëdhënia me këtë gjykatë ka qenë në fuqi. Që do të thotë nëse ka një konflikt që ka ndodhur para datës së sotme secila prej kompanive mund t’i drejtohet gjykatës edhe sikur ditën e nesërme mos ta njohim atë si organizatë.Për sa i përket konflikteve që mund të lindin ditën e nesërme kjo ka për të patur pasoja për investitorët e huaj gjë që do të thotë se do të ketë pasoja për investimet që vijnë në Shqipëri pasi nuk do të ketë garanci nga vendimet arbitrare të autoriteteve shqiptare.
Kështu që pasojat do të jenë më të rënda se sa pasojat që ne do të kemi nga humbja me një kompani.”, tha Shehu në emisionin "Review".
Kryeministri Rama para dy ditësh se qeveria shqiptare po shqyrton mundësinë për të dalë nga juridiksioni i Gjykatës së Arbitrazhit.
“Në vend që të revoltohen që një kriminel i gjykuar dhe i dënuar me 17 vjet burg për mashtrim të shtetit shqiptar arrin të çajë rrugën në një gjykatë me të cilën ne do të hapim probleme të mëdha, duke filluar nga java e ardhshme dhe nga e cila madje, po analizojmë dhe mundësinë të daljes fare nga ai juridiksion sepse është skandaloze ajo që ka ndodhur”, tha Rama.
Këto qëndrime të kreut të qeverisë shkaktuan një reagim të menjëhershëm te opozita. Sali Berisha e konsideroi këtë si hap të madh mbrapa, pasi sipas tij Arbritrazhi ndërkombëtar është i detyrueshëm për vendet anëtare të OKB-së.
“Arbitrazhi Ndërkombëtar është nën ombrellën e Bankës Botërore, rrjedhimisht të OKB-së. Kjo pasi institucionet e Bretton Woods, BB, FMN dhe IFC, janë institucione të OKB-së. Arbitrazhi i kësaj organizate është i detyrueshëm për të gjithë anëtarët, për të gjithë vendet anëtare të BB-së dhe OKB-së. Ajo që ndodh është se në disa nga këto arbitrazhe, bashkëshortja ka qenë Avokate e Shtetit, bashkëshorti ka qenë avokat i të paditurit. Kjo ndodh vetëm në Shqipëri dhe në asnjë vend tjetër. Mos u habisni nëse këto gjoba janë ndarje parash mes paditësve dhe të paditurve”, u shpreh Berisha.
Lini një Përgjigje