Qeveria ka hedhur një tjetër hap konkret drejt rihapjes së basteve sportive online, duke miratuar aktin e dytë nënligjor që i hap rrugë procedurave për dhënien e licencave në këtë sektor.
Vendimi i miratuar përcakton në detaje kriteret e vlerësimit, procedurat e konkurrimit dhe metodologjinë e pikëzimit për subjektet që do të aplikojnë për licencë. Ky zhvillim vjen pas hyrjes në fuqi të ligjit për lejimin e basteve online më 1 prill 2024, ndërsa aktet nënligjore po dalin me vonesë krahasuar me afatet e parashikuara.
Sipas dokumentit, aplikantët do të vlerësohen mbi disa kritere kryesore, ku peshën më të madhe e zënë oferta ekonomike dhe përvoja në fushën e lojërave të fatit, secila me nga 30 pikë. Në vlerësim përfshihen gjithashtu plani i biznesit, kapacitetet organizative dhe zgjidhjet teknologjike që garanton subjekti.
Në total, pikëzimi maksimal është 100 pikë dhe fitues shpallet subjekti që merr rezultatin më të lartë, ndërsa në rast barazimi parashikohet shorti si mekanizëm ndarës.
Procedura do të zhvillohet në një fazë të vetme, ku aplikantët duhet të dorëzojnë të gjithë dokumentacionin dhe të paguajnë një tarifë aplikimi prej 500 mijë lekësh. Afati për dorëzimin e aplikimeve është 45 ditë nga shpallja e thirrjes.
Vendimi parashikon gjithashtu që në nivel kombëtar të jepen jo më shumë se 10 licenca për baste sportive online, duke kufizuar hyrjen në treg dhe duke e bërë garën më të fortë mes operatorëve.
Procesi do të administrohet nga Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit dhe Komisioni i Licencave, të cilët do të ndjekin të gjithë procedurën nga hapja e garës deri në shpalljen e fituesve.
Subjektet pjesëmarrëse kanë të drejtë ankimi brenda 10 ditëve nga shpallja e fituesit, fillimisht pranë ministrit të Financave dhe më pas në gjykatë.
Ky zhvillim shënon një tjetër fazë në rikthimin e basteve në Shqipëri, një sektor që ishte ndaluar për disa vite dhe që tashmë po rikthehet përmes modelit online, nën kontrollin e një kuadri të ri ligjor dhe rregullator.
Lini një Përgjigje