Teksa ka komentuar raportimin sot të Altin Dumanit në Kuvend, avokati Arben Llangozi thotë se SPAK-u ka punuar në mënyrë selektive.
Në studion MCN, Llangozi u ndal te dosja e inceneratorëve, ku tha se janë arrestuar persona të dorës së dytë dhe jo autorët e vërtetë.
“Po bën Lefter Koka katër vite paraburgim dhe qenka çështje komplekse. SPAK i ka pasur provat që në atë kohë, por ka qenë selektiv në këtë çështje sepse dihet personat që kanë qenë të implikuar. Janë arrestuar ushtarë apo njerëz të dorës së dytë dhe nuk kemi goditje në nivele të larta. Për inceneratorët janë nxjerrë 16 VKM brenda ditës. Cili ka qenë interesi i kryeministrit të firmosë 16 VKM? SPAK-u as e ka hetuar as ka ndërmend ta bëjë", tha ai.
Llangozi shtoi se e njëjta gjë po ndodh edhe me çështje të tjera. Sipas tij, të merresh me një vepër të vitit 2008 dhe të mos merresh me veprat e sotme të panumërta të krijon bindjen se është nën urdhra politikë.
“Kush është më e madhe pasuria e zonjës Xhaçka apo ajo që i ka dhënë dhëndrit të vet Berisha? Nuk ka asnjë hetim as sekuestro të hotelit ndaj bashkëshortit të zonjë Xhaçka. Ky është produkti i veprës penale. Pse nuk hetohet Limioni në Sarandë. Po bëhen 3 vite e sekuestruar pasuria publike dhe nuk ka hetim. Duhet të hetohet kryeministri për 16 VKM brenda ditës dhe hetohet Berisha për një firmë. Prokuroria e Posaçme po godet në mënyrë selektive”, shtoi Llangozi.
Sipas Llangozit, sistemi i drejtësisë është në kaos. Sipas tij, kjo sepse Gjykata e Apelit nuk funksionon. “Një çështje penale do 5 vjet, një çështje civile do 10 vjet. Ka rreth 45 mijë dosje të prapambetura në Apel dhe janë vetëm 25 gjyqtarë”, tha avokati.
Lini një Përgjigje