
Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani, ka kërkuar që të ndalen presionet ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve. Ai ka raportuar në Kuvend lidhur me punën e institucionit që drejton, teksa u ndal dhe te problematikat.
Ai duket se goditi politikën, e cila komenton apo kundërshton vendimet gjyqësore apo dosjet e prokurorisë.
“Ka patur raste edhe të komentimit të vendimeve gjyqësore, kritika ndaj tyre, madje dhe deri në anatemimin e punës së gjyqtarëve dhe prokurorëve apo të magjistratëve nominalisht. Edhe nga opinioni publik. Edhe nga politika. Nuk është e lehtë për magjistratët, por vlerësoj se ky është një proces dhe një sfidë që duhet të përballohet nga ana e tyre, pasi në këtë rast duhet të prevalojë e drejta e publikut mbi mbikëqyrjen e punës së tyre, pse jo edhe angazhimin në mënyrë të drejtpërdrejtë në procesin e administrimit të drejtësisë. Ajo që duhet thënë është se niveli shpeshherë i tejkaluar i kritikës ndaj punës së tyre, nuk i prek dhe as nuk i ul aspak garancitë që Kushtetuta ka dhënë për pavarësinë e gjyqtarëve e prokurorëve, në punën e diskrecionin e vendimmarrjes së tyre”, tha ai.
Lini një Përgjigje