
Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, është pyetur gjatë raportimit të tij në Kuvend, lidhur me ngjarjen e disa ditëve më parë para ambienteve të SPAK, ku 63-vjeçari Pal Treshaj i dha fund jetës duke konsumuar fostoksinë.
Dumani është shprehur se Pal Treshaj kishte bërë kallëzim kohë më parë, por çështja i është përcjell për kompetencën një Prokurorie të Juridiksionit të Përgjithshëm.
Kreu i SPAK ka bërë me dije se 63-vjeçari ka kërkuar në SPAK takim me hetuesin, i cili ka qenë i angazhuar në një veprim tjetër hetimor.
Ndër të tjetra, Dumani tregoi se nga dezhurni ka marrë informacionin që qytetari nuk ka kërkuar takim me drejtuesin e SPAK, por me një hetues.
"Është një ngjarje që e kam përjetuar keq si qytetar dhe prokuror, kemi bërë dhe një njoftim për shtyp. Qytetari ka bërë kallëzim kohë më parë, që i është përcjellë për kompetencën një Prokurorie të Juridiksionit të Përgjithshëm pasi nuk ishte në kompetencën tonë.
Atë ditë ka ardhur tek dëzhurni ka kërkuar takim më hetuesin e cili kishte marrë kontakt kur ka bërë kallëzimin. Hetuesi ka qenë i angazhuar në një veprim tjetër hetimor. Nga dëzhurni kam marrë informacionin që nuk ka kërkuar takim me drejtuesin, pavarësisht që unë isha jashtë Shqipërisë, por institucioni gjithmonë ka një drejtues tjetër. Dhe drejtuesi i caktuar nuk është kërkuar për tu takuar.
Ngjarje shumë e dhimbshme dhe e kemi përjetuar keq. Por, po ndeshemi me një fenomen ne si SPAK, ngaqë qytetarët kanë rritur pritshmëritë tek ne, shpesh drejtojnë letra, kallëzime në SPAK, që në shumicën e rasteve nuk janë në kompetencën tonë", tha Dumani.
Lini një Përgjigje