TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet13 Shtator 2024, 16:44

PS refuzoi t’i heqë mandatin Xhaçkës, SHBA "shuplakë" qeverisë "Rama": Përmbajuni ligjeve dhe vendimeve kushtetuese!

Shkruar nga Pamfleti

PS refuzoi t’i heqë mandatin Xhaçkës, SHBA

Ambasada e SHBA-së në Tiranë e ka cilësuar shqetësues veprimin e mazhorancës për të shpërfillur vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Vendimi i marrë mesnatën e djeshme nga mazhoranca për të mos pranuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për t’ia dërguar asaj çështjen e mandatit të deputetes socialiste, Olta Xhaçka, ka shqetësuar partnerët ndërkombëtarë SHBA-BE.

Pas deklaratës së BE, ka reaguar edhe ambasada e SHBA-së në Tiranë e cila e ka cilësuar shqetësues veprimin e mazhorancës për të shpërfillur vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Me anë të një deklarate të shpërndarë në platformën "X", Ambasada i bëri thirrje qeverisë që të respektojë ndarjen e pushteteve dhe t'u bindet vendimeve gjyqësore e kushtetuese, në të kundërt rrezikohet sistemi demokratik. 

Ambasada e SHBA ndan shqetësimin e Delegacionit të Bashkimit Evropian për vendimin e djeshëm në parlamentin e Shqipërisë për të shpërfillur një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Siç vuri në dukje kryeparlamentari së fundmi, marrja e hapave të nevojshëm për vendimet e Gjykatës Kushtetuese është një përgjegjësi thelbësore e Parlamentit dhe është gjithashtu thelbësore për parimin e ndarjes së pushteteve. Qeveria dhe institucionet duhet t'u përmbahen rregulloreve, ligjeve, vendimeve gjyqësore dhe kushtetutës – të gjitha këto janë vendosur për të siguruar që një sistem demokratik të jetë i shëndetshëm dhe i lulëzuar”, thuhet në reagimin e Ambasadës.

Kujtojmë se më herët reagoi edhe zyra e BE-së në Tiranë, e cila deklaroi se ajo çfarë ndodhi dje nuk ishte një hap në drejtimin e duhur.

Sipas zyrës së BE zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga Parlamenti është një çështje thelbësore pasi lidhet me kontrollet dhe balancat institucionale në sistemin demokratik të vendit.

Kujtojmë se mbrëmjen e djeshme në mesnatë, 25 deputetë demokratë votuan pro dhe 9 socialistë kundër. Ndërsa 65 deputetët e tjerë të PS-së, shtypën butonin e abstenimit duke bërë që projektvendimi të mos merrte votat e nevojshme për miratim./Pamfleti

Lini një Përgjigje