TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet28 Janar 2025, 17:06

Prova e 3-të me emigrantët në Gjadër, a do e kalojë Meloni testin e Gjykatës së Apelit në Romë?

Shkruar nga Pamfleti

Prova e 3-të me emigrantët në Gjadër, a do e kalojë

Aksi Itali-Shqipëri për menaxhimin e emigrantëve është vënë në provën e tretë, që nga momenti kur kampi i refugjatëve në Gjadër i ngritur pas marrëveshjes mes Kryeministres Giorgia Meloni dhe Edi Rama, është vënë në funksionim.

 Anija patrulluese e Marinës Cassiopea ka mbërritur në portin shqiptar të Shëngjinit, me 49 emigrantët e shpëtuar gjatë fundjavës në ujërat ndërkombëtare në jug të Lampedusës. Ata do t'i nënshtrohen procedurave të përshpejtuara kufitare.

Emigrantët e shpëtuar janë kryesisht nga Bangladeshi, por edhe nga Egjipti, Bregu i Fildishtë dhe Gambia.

Këto vende konsiderohen të sigurta sipas listës që përmban dekreti i qeverisë Meloni.

Procesi është i njëjtë me atë të ndjekur muajt e fundit për grupet e tjera të emigrantëve: ndalesa e parë është brenda portit, ku është ngritur një hotspot "italian" për kontrollin shëndetësor.

Njerëzit që konsiderohen të pambrojtur do të kthehen në Itali. Pas identifikimit, emigrantët e tjerë do të transferohen në kampin e Gjaderit, në brendësi të Shqipërisë, disa dhjetëra kilometra larg. Më pas, gjyqtarët e Gjykatës së Apelit të Kryeqytetit, brenda 48 orëve duhet të vendosin nëse do të vërtetojnë ose jo masën e ndalimit.

Ky është transferimi i tretë në Shqipëri pas atyre tetorit dhe nëntorit të kaluar të kryera nga anija Libra: në atë rast azilkërkuesit u liruan më vonë për shkak se gjykata e Romës nuk kishte vërtetuar ndalimet.

Kjo për shkak të pamundësisë së njohjes së shteteve të origjinës së të arrestuarve si vende të sigurta dhe si pasojë e shtyrjes së vendimit të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë për çështjen e vendeve të sigurta, që pritet më 25 shkurt.

Këtë herë, bazuar në legjislacionin e ri të kërkuar nga qeveria, gjyqtarët e Gjykatës së Apelit të Romës (dhe jo ata të Seksionit të Emigracionit) do të vendosin brenda 48 orëve nëse do të vleftësojnë ose jo ndalimin. Prandaj, përgjigja duhet të jetë e disponueshme deri të enjten. /Pamfleti/


Lini një Përgjigje