TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet28 Janar 2025, 14:27

"Kujdes, mos neglizhoni simptomat!", Eugena Tomini për virozat e stinës: Jo antibiotikë

Shkruar nga Pamfleti

"Kujdes, mos neglizhoni simptomat!", Eugena Tomini për virozat e

Drejtoresha e ISHP-së Eugena Tomini ka folur lidhur me virozat e stinës që prej disa javësh po mundon popullatën shqiptare dhe në veçanti fëmijët dhe moshat e treta.

Të paktën 20 mijë është numri i të prekurve nga këto viroza deri tani dhe trendi është rritës, pasi pritet të zgjasë deri në muajin shkurt.

Eugena Tomini ka folur për situatën e infeksioneve virale, gripit dhe deri te Covid-i si forma të shfaqura gjatë kësaj virozë, simptomat dhe masat që duhet të marrim. Ajo shprehet se ka një trend në rritje të virozave respiratore.

“Ka intensitet të lartë të infeksioneve respiratorë të sipërme dhe të poshtme. Jemi në ditët e fundit të janarit dhe në prag të shkurtit, me një trend të lartë të virozave respiratore. Jemi duke i vlerësuar të dhënat me alertet dhe sektorët e caktuar, kemi mbi 20 mijë infeksione respiratore të poshtme dhe të sipërme deri tani”, tha Tomini për “Report Tv”.

Tomini këshillon që të mos neglizhohen simptomat teksa shprehet se pacientët duhet të paraqiten në spital për mjekim, në rast se situata përkeqësohet.

“Tre ditët e para në shtëpi me trajtime dhe pastaj me aktivitet normal lëvizjeje. Nëse nuk ka përmirësim atëherë shkohet te mjeku specialist për trajtim të mëtejshëm. Mos i neglizhoni shenjat dhe bëni kujdes. Rastet e rënda kalojnë edhe në bronshit. Ndjekje me mjekun e familjes është e domosdoshme, moshat e treta më kritike. Duhet shumë kujdes, pasi nëse neglizhohet mund të ketë edhe fatalitet”, u shpreh ajo.

Në lidhje me medikamentet që marrin të sëmurët, shpesh edhe pa receta apo konsulta, Tomini paralajmëroi që në asnjë mënyrë gripi apo virozat të mos trajtohen me antibiotikë, por të shkohet te mjeku i familjes ose specialisti nëse situata nuk ka përmirësim.

“Virozat dhe gripi nuk trajtohen me antibiotikë, por merret këshillim me mjekun e familjes dhe specialistin. Bëhen edhe analizat përkatëse. Kemi 4 lloje virusesh, mes tyre edhe ai i Covid-it. Ka shenja të ndryshme si ajo e kollës, dhimbje fyti, koke, laringu dhe shenja të tjera klinike”, thotë drejtuesja e ISHP.

Por cilat janë moshat më të prekura apo më të rrezikuara dhe të ndjeshme nga kjo situatë që duket si në fazë epidemie për shkak të fluksit të lartë të të prekurve?

“Moshat aktive më të prekura nga gjendja virale. Fëmijët dhe të moshuarit janë më të prekurit nga virozat dhe infeksionet. Infeksione bakteriale të grupmoshat aktive. Mjeku specialist dhe vizita klinikisht përcakton nëse jemi prekur nga viroza apo është diçka tjetër, si bajamet psh., pra kërkohet dhe diagnoza laboratorike nëse është grip dhe lloji i tij”, thotë ajo.

Teksa jep një këshillë publike të qartë për të gjithë popullatën: “Lutemi që të vaksinoheni të gjithë, sepse vaksina e gripit është e pranishme e disponueshme deri në fund të marsit”.

A ndikon kjo virozë te rastet e rënda, si ato të miokardit, pas humbjes së jetës së dy fëmijëve për këtë shkak? Cilat janë shenjat që nuk duhen neglizhuar?

“Nëse kemi viroz me rrufë, me pak vështirësi frymëmarrje, kollë, s’të lë të marrësh frymë, temperaturë për 3 ditë, duhen këshilla mjekësore dhe përballja sistematike me sistemin shëndetësor është e këshillueshme, për të shtuar kujdesin ndaj fëmijëve. Virusi, infeksionet virale janë të pranishme, nuk duhen neglizhuar. Fëmijët e vegjël e kanë të vështirë që të nxjerrin sekrecionet siç bëjnë të rriturit, ndaj kërkohet ndjekja me mjek pediatër, për të kryer kontrollin e duhur edhe për ndonjë simptomë tjetër. Mos neglizhoni shenjat klinike te fëmijët”, shprehet Tomini.

Lini një Përgjigje