
Prokuroria e Tiranës ka ndryshuar akuzën për anëtarët e fisit Rraja në lidhje me episodin e dhunës ndaj Bilbil e Jashar Majas në Borizanë të Krujës.
Ndryshe nga nisja e hetimit për “plagosje të rënë me dashje, në bashkëpunim” pas publikimit të dhunës me shkopinj bejsbolli prokuroria ka vlerësuar që hetimit duhet të vijojë për akuzën e “plagosjes së lehtë me dashje”. Ndryshimi i kualifikimit ka ardhur pas administrimit të akt-ekspertimeve mjeko ligjore ndaj të dëmtuarve.
Lidhur me këtë ka reaguar ashpër gazetarja Klodiana Lala, e cila ka publikuar edhe dokumentin.
“Këta të rrahin e s’të lënë të qash. Mbroni dhunuesit derisa të vijnë t’iu zhdëpin edhe ju në dru...”-ka shkruar Lala në profilin e saj në Facebook.

Si ndodhi ngjarja?
Me shkopinj bejsbolli, sende të forta dhe pistoletë në dorë, 8 persona zbresin kanë dhunuar barbarisht dy kushërinjtë Bilbil Maja dhe Jashar Maja, në një lokal në aksin Fushë Krujë-Thumanë.
Policia e Shtetit arrestoi 4 persona dhe shpalli në kërkim 3 të tjerë për rrahjen brutale që iu bë dy kushërinjve Bilbil dhe Jashar Maja.
Për ngjarjen e ndodhur policia shoqëroi në total 8 persona ndërsa në pranga ranë Ineidi Rraja, Eni Kullaj, Kujtim Përdaku dhe Andi Rraja.
Mes dhunuesve janë dhe dy vëllezërit e deputetit socialist Rrahman Rraja, konkretisht Flamur dhe Xhelal Rraja, si dhe djali i deputetit Rexhep Rraja.
Sipas policisë shkak i ngjarjes së rëndë është bërë një gurore në fshatin Borizanë në pronësi të Përparim Rrajës, i afërm i deputetit socialist i cili ka leje shfrytëzimi dhe licencë për aktivitetin.
Kushërinjtë Bilbil e Jashar Maja kishin bërë denoncim në polici se shpërthimet gjatë punimeve në gurore kishin krijuar dëme materiale në banesat e tyre por edhe shqetësime.
Ditën kur ndodhi ngjarja kushurinjtë Maja ishin në lokal me inxhinierin e gurores kur grupi i dhunuesve mësynë lokalin dhe filluan ti godasin me shkopinj deri sa njërit prej kushërinjve Maja i bie te fiket teksa goditet ndërsa dhunuesit i drejtojnë dhe pistoletën.
Forcat e policisë nga Tirana tashmë e kanë bllokuar guroren.
Lini një Përgjigje