
Fitorja e Shqipërisë ka bërë jehonë në mediat e huaja dhe veçanërisht në Poloni.
“Katastrofë”. Kështu shkruajnë mediat polake pas humbjes së tyre mbrëmjen e së dielës në “Air Albania” të Tiranës.
Trajneri Fernando Santos është vënë në qendër të kritikave teksa Polonia numëron 6 pikë në 5 ndeshjet kualifikuese të Euro 2024.
“Rreth 22 mijë persona u shfaqën në stadiumin “Air Albania”. Panë dy gola dhe fatkeqësisht, të dyja u shënuan nga mikpritësit. Në të 37-ën minutë Jasir Asani nga klubi korean Gwangju FC shënoi dhe në 62-ën minutë Mirlind Daku që luan me Rubin Kazan, dyfishoi rezultatin”, shkruan Przeglad Sportoëy Onet.
Për ndeshjen e Shqipërisë kanë shkruar edhe mediat spanjolle, shkak është bërë Robert Lewandowski që luan për Barcelonën.
“Robert Lewandowski bie dhe skuadra e Sylvinho-s komplikon situatën e kombëtares polake. Skuadra e Fernando Santos ka vetëm dy fitore në pesë ndeshje. Lewandowski ishte një ‘ishull i vetmuar’ në linjën e sulmit të Polonisë”, shkroi “Mundo Deportive”.
“Tre ditë më parë Polonia ishte pranë humbjes kundër Ishujve Faroe, por 17 minuta përpara fundit Lewandowski u shfaq dhe shpëtoi ekipin nga një katastrofë. Këtë herë nuk ndodhi dhe polakët kanë një detyrë të vështirë përpara nëse duan të jenë në kampionatin e ardhshëm europian”, shkruan “Marca”.
Ndërsa "Sport" thekson: Shqipëria edhe një herë konfirmoi rritjen dhe evoluimin e saj, duke marrë një fitore vendimtare ndaj Polonisë.
Pas fitores 2-0 ndaj Polonisë, Shqipëria tashmë është e para e grupit E me 10 pikë.
Pas kuqezinjve qëndrojnë çekët me 8 pikë, por me një ndeshje më pak.
Në vendin e tretë ka habitur Moldavia që ka grumbulluar po ashtu 8 pikë. Polonia qëndron e katërta me 6 pikë, ndërsa Ishujt Faroe me 1 pikë është e fundit e grupit.
Ndeshja e radhës e Shqipërisë është më 12 Tetor përballë Çekisë në “Air Albania”.
Lini një Përgjigje