Këshilli i Ministrave emëroi sot Skënder Hitën në krye të Policisë së Shtetit.
Deri në këtë vendim, Hita drejtonte Policinë e Fierit dhe konsiderohej një nga drejtuesit me eksperiencë në strukturat e uniformave blu.
Ai e ka ndërtuar karrierën në disa nga qarqet më të rëndësishme të vendit dhe në struktura që lidhen drejtpërdrejt me hetimin e krimit dhe garantimin e rendit publik. Në vite ka mbajtur funksione drejtuese në disa qarqe.
Fillimin e eksperiencës drejtuese e ka në qarkun e Shkodrës, ku ka shërbyer si drejtor i hetimit të krimit. Më pas mori drejtimin e Policisë në qarkun e Durrësit.
Durrësi përbën një nga zonat më të ndjeshme për shkak të portit më të madh në vend, aktivitetit të lartë ekonomik dhe lëvizjes së madhe të njerëzve dhe mallrave.
Gjatë periudhës kur drejtoi strukturat policore në Durrës, u zbardhën disa ngjarje të rënda kriminale. Një nga rastet lidhet me Indrit dhe Gentjan Beqiraj, dëshmitë e të cilëve ndihmuan hetuesit të hedhin dritë mbi disa ngjarje kriminale në Durrës, Tiranë dhe zona të tjera. Pas kësaj etape, Hita drejtoi Policinë e Fierit.
Lini një Përgjigje