Meteorologia Lajda Porja bëri parashikimin e motit, ku theksoi se edhe këto ditë të fundit të muajit mars do të mbeten me mot të paqëndrueshëm.
Sipas saj, e marta, e mërkura dhe e enjtja do të shoqërohen me shi, ndërsa fundjava do të sjellë mot të mirë dhe temperatura të larta. Ndërkohë, meteorologia theksoi gjithashtu se tre ditët e para të muajit prill do të shoqërohen me temperatura të ulëta.
“Në territorin tonë sot është diell, por parashikohet që gjatë natës të kemi vranësira duke sjellë reshje shiu dhe rrebeshe. Parashikohet që reshjet të jenë më të dukshme ose më të dendura në pjesën e parë të ditës, ndërsa në mbrëmje pritet të ketë rënie të intensitetit.
Do të rishfaqen reshjet e dëborës në zonat malore dhe parashikohet që të mërkurën dhe të enjtën të jenë prezente. Reshjet e shiut dhe dëborës do të jenë prezente deri në orët e paradites së ditës së premte, ndërsa fundjava dhe gjithë java tjetër do të sjellë temperatura mjaft të larta dhe mot të kthjellët, duke sjellë pranverën e munguar.
Parashikohet që temperaturat të jenë deri në 15 gradë, tipike si të shkurtit, ndërsa pritet të kemi rritje të temperaturave në fundjavë deri në 19-20 gradë, të cilat kanë munguar gjatë kësaj jave.
Çadra me vete është për të martën, të mërkurën dhe të enjten.
Pavarësisht se sot ka diell, nesër do të ketë kushte të paqëndrueshme edhe në Republikën e Kosovës. Pritet që të ketë reshje pak më të dendura paradite dhe në pjesën e dytë të ditës do të jenë më të rralla, por nuk do të sjellin problem të ndjeshëm. Ndërsa në fundjavë do të shikojmë ditët tipike të pranverës.
Temperaturat e ulëta do të vijojnë deri në fund të muajit mars, dhe tre ditët e para të muajit prill do të jenë me temperatura të ulëta. Në Kosovë do të ketë deri në -1 gradë në zonat malore. Do të jetë fundjava që do të sjellë ndryshime, ku temperatura do të rritet me pesë gradë, duke sjellë jo vetëm diell por edhe mot të ngrohtë.
Edhe në Maqedoninë e Veriut, situata është me vranësira dhe reshje të dendura gjatë ditës së martë, reshjet do të jenë më të pakta të mërkurën dhe të enjten. Duke nisur nga fundjava, rajoni i Ballkanit do të ketë mot të qëndrueshëm, duke na sjellë ditë të ngrohta”, u shpreh meteorologia.
Lini një Përgjigje