TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet30 Mars 2026, 10:08

Ambasadori britanik takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave: Shqipëria, partner i rëndësishëm në luftën kundër kontrabandës

Shkruar nga Pamfleti
Ambasadori britanik takim me Drejtorin e Përgjithshëm të
Ambasadori britanik takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, zhvilloi sot një takim me Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Nicholas Abbott, ku në qendër të diskutimeve ishte thellimi i bashkëpunimit dypalësh në fushën e doganave dhe sigurisë kufitare.

Gjatë bisedës, Beja vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të ofruar nga Mbretëria e Bashkuar për Administratën Doganore Shqiptare, duke theksuar se “partneriteti me institucionet britanike ka qenë thelbësor në rritjen e kapaciteteve tona operacionale dhe në modernizimin e procedurave të kontrollit”. Ai evidentoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit me struktura si HM Revenue and Customs dhe programet e Home Office International Operations, veçanërisht në drejtim të teknologjisë dhe shkëmbimit të informacionit.

Nga ana e tij, ambasadori Abbott vlerësoi progresin e arritur nga Dogana Shqiptare dhe shprehu gatishmërinë për të thelluar më tej bashkëpunimin, duke u shprehur se “Shqipëria mbetet një partner i rëndësishëm për Mbretërinë e Bashkuar në adresimin e sfidave të përbashkëta, si lufta kundër kontrabandës, trafiqeve të paligjshme dhe forcimi i kontrollit në kufi”. Ai nënvizoi rëndësinë e vijimit të projekteve të përbashkëta që synojnë rritjen e sigurisë dhe lehtësimin e tregtisë së ligjshme.

Në vijim, bashkëbiseduesit u ndalën te rezultatet konkrete të këtij bashkëpunimi ndër vite, duke përfshirë vendosjen e sistemeve inteligjente të monitorimit në pikat e kalimit kufitar dhe operacionet e përbashkëta në Portin e Durrësit, të cilat kanë ndikuar në parandalimin e aktiviteteve të paligjshme dhe rritjen e efektivitetit të kontrolleve.

Palët diskutuan gjithashtu për nevojën e rritjes së shkëmbimit të informacionit dhe përdorimit të teknologjive të avancuara për analizën e riskut, në përballje me sfidat e reja në siguri dhe tregti ndërkombëtare.

Takimi rikonfirmoi nivelin e lartë të bashkëpunimit mes institucioneve shqiptare dhe atyre britanike, si dhe angazhimin për ta çuar këtë partneritet në një fazë më të avancuar, në funksion të sigurisë, zhvillimit ekonomik dhe integrimit rajonal.

Lini një Përgjigje