
Lexues të “Pamfleti” ju ftojmë të ndiqni edicionin informativ të mesditës, ku mes të tjerash veçojmë:
Tërmeti 'zgjon' Shqipërinë- Lëkundje të forta mes Lushnjës dhe Elbasanit
Shqipëria është zgjuar mëngjesin e sotëm, 30 mars nga një tërmet me magnitudë 3.8 të shkallës Rihter.
Epiqendra e tërmetit ka qenë mes Lushnjes dhe Elbasanit, rreth 10 kilometra larg Lushnjës dhe 28 kilometra nga Elbasani.
Lëkundjet janë ndjerë të forta dhe kanë zgjatur për disa sekonda. Fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar apo për dëme materiale.
1.7 milionë euro për Sheshin Skënderbej- Tenderi i Piro Sinjarit ngre dyshime për pagesa të sajuara
Një tender i shpallur nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve dhe Ndriçimit Publik në Bashkinë e Tiranës, me firmë të drejtorit Piro Sinjari, ka hapur pikëpyetje serioze mbi nevojën reale të kësaj kontrate dhe mbi shërbimet që parashikohen të paguhen me para publike.
Në Buletinin e Prokurimeve Publike të datës 24 mars 2026, kjo drejtori shpalli tenderin për mirëmbajtjen dhe menaxhimin e Sheshit “Skënderbej”, me fond limit 1.7 milionë euro me TVSH.
Sipas njoftimit, objekti i shërbimeve përfshin pastrimin e pjesëve të jashtme të ndërtesave, mirëmbajtjen dhe riparimin e sheshit, si dhe kujdesin për pemët.
Pikërisht këtu nis dyshimi i parë. Në Sheshin “Skënderbej” nuk ka ndërtesa në administrim të Bashkisë së Tiranës që të justifikojnë një zë të tillë shërbimi. Pallati i Kulturës dhe Muzeu Kombëtar administrohen nga Ministria e Kulturës dhe investimet apo ndërhyrjet në to nuk lidhen me Bashkinë e Tiranës.
Dyshimi i dytë lidhet me vetë sheshin. Sipas të dhënave të paraqitura në material, mirëmbajtja e Sheshit “Skënderbej” mbetet detyrim kontraktor i kompanisë që e ndërtoi, si pjesë e garancisë së punimeve për një periudhë 12-vjeçare nga inaugurimi i qershorit 2017 deri në vitin 2029. Nëse ky detyrim kontraktor ekziston dhe është në fuqi, atëherë Bashkia duhet të shpjegojë qartë se për çfarë po prokuron 1.7 milionë euro shërbime shtesë.
E papritur!- Presidenti Begaj shkarkon nga detyra Komandantin e Forcave Ajrore
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka firmosur dy dekrete që sjellin ndryshime në drejtimin e Forcës Ajrore të Shqipërisë.
Me Dekretin nr. 164, datë 30 mars 2026, është vendosur lirimi nga detyra i Gjeneral Major Ferdinant Vasil Dimo, i cili mbante postin e Komandantit të Forcës Ajrore.
Në vijim, përmes Dekretit nr. 165, po të së njëjtës datë, në krye të Forcës Ajrore është emëruar Gjeneral Brigade Edmond Abaz Voci.
Ndryshimi në drejtim është zyrtarizuar nga Kreu i Shtetit, ndërsa nuk janë bërë publike detaje të tjera lidhur me këtë vendim.
Sot Kuvend- PD kërkon interpelancë me ministrin e Brendshëm
Partia Demokratike ka kërkuar këtë të hënë, 30 mars, interpelancë me ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallari.
Nënkryetari i Komisionit për Punët e Brendshme dhe Mbrojtjen Kombëtare në Partinë Demokratike, Klevis Balliu në një deklaratë për mediat ka kërkuar që ministri Lamallari të japë llogari në Kuvend në lidhje me shqetësimet për nivelin e inkriminimit dhe cenueshmërinë e Policisë së Shtetit.
Balliu shton se sipas tij depërtimi i elementëve kriminalë në radhët e Policisë së Shtetit përbën jo vetëm një problem institucional, por kërcënon edhe sigurinë kombëtare dhe besueshmërinë e vendit ndaj partnerëve strategjikë.
Klevis Balliu shprehet se në emër të Partisë Demokratike kërkon nga qeveria dhe Ministria e Brendshme një shpjegim të qartë lidhur me mënyrat se si janë bërë emërimet në Policinë e Shtetit.
Ndërkohë këtë të hënë, 30 mars, në orën 17:00 zhvillohet seanca plenare në Kuvendin e Shqipërisë. Sipas agjendës zyrtare në rendin e ditës është planifikuar të ketë diskutime për çështje të evidentuara nga zgjedhësit.
Për më shumë, klikoni në linkun e lajmeve të orës 12.00
Lini një Përgjigje