TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet10 Shkurt 2025, 12:45

Politika fut duart te Radiotelevizioni Publik, PS-PD kërkojnë shkrirjen e Këshillit Drejtues

Shkruar nga Pamfleti

Politika fut duart te Radiotelevizioni Publik, PS-PD kërkojnë

Si rrallë herë, Partia Socialiste dhe ajo Demokratike kanë rënë dakord për diçka, shpërbërjen e Këshillit Drejtues të RTSH-së. 

Komisioni i Medias ka kërkuar shkarkimin e Këshillit Drejtues të RTSH-së, pas parregullsive që hasën në procesin e zgjedhjes së Drejtorit të ri. Si rrallë herë, Partia Socialiste dhe ajo Demokratike kanë rënë dakord për diçka, shpërbërjen e Këshillit Drejtues të RTSH-së.

Vendimi vjen një javë pas, seancës dëgjimore me Kryetarin e Këshillit Drejtues të RTSH-së, Leka Bungo i cili foli në lidhje me procedurat që janë ndjekur në përzgjedhjen e kandidaturave për drejtor të Përgjithshëm të RTSH.

Bungo, pranoi një javë më parë se në atë institucion mungon transparenca dhe se kur ai konstaton shkelje nuk ka të drejtë të veproj. Bazuar në këto deklarata të Bungos, Komisioni i Medias u shpreh se janë konstatuar shkelje dhe për këtë arsye do të kërkohet shkarkimi i Këshillit Drejtues.

Kryetarja e Komisionit, Ina Zhupa theksoi se nuk janë zbatuar në vite rekomandimet e Kuvendit. Sipas saj, anëtarët e Këshillit drejtues të RTSH ishin të painformuar, por nuk i shpëton mosdija nga shkelja e ligjit.

Gjithashtu u theksua se Këshilli Drejtues ka përfituar personalisht ose familjarë nga fondet e RTSH me kontrata dhe projekte të ndryshme, ose kanë të punësuar familjarë. Një tjetër konstatim nga anëtarët e Komisionit të Medias ishte se në RTSH ka munguar edhe transparanca e shpenzimeve, pasi nuk janë publikuar raporte.

Nuk dinin kompetencat e detyrave të tyre, madje kërkuan t’ia bënim ne statutin (pra Kuvendi)) Ka konflikt interesi (kemi shkresa zyrtare që e konfirmojnë). Pas dëgjesës në komision 2 anëtarë dhanë dorëheqjen, Genci Përmeti, Gëzim Podgorica (do vazhdojmë me procedurat e zëvendësimit)”, tha Zhupa mes të tjerash.

Vendimi u mbështet edhe nga ana e deputetes së PS-së, Evis Kushi, e cila shtoi se do të duhet të rishikohet edhe kuadri ligjor për raste të tilla.

“Duhet të fillojmë një proces të rishikimit të kuadrit ligjor, ka qënë një rast i përsëritur dhe duhen marrë masa. Mendoj edhe të rishikojmë ligjin ose statutin ose kodin e etikës, të shohim në detaje të gjithë kuadrin ligjor për të parandaluar shkelje të tilla në të ardhmen”, tha Kushi.

Por është në të vërtet vetëm fakti se kishte parregullsi në procesin e zgjedhjes së drejtuesit të ri, arsyeja përse politika vendosi të fusë duart te Radiotelevizioni Publik, apo Këshilli Drejtues i preku dikë në “kallo”?

Në fakt e gjithë lufta nisi pas skualifikimi të gazetares Eni Vasili, emër për të cilin të dyja palët politike kishin shprehur hapur pëlqimin për kandidaturën e saj.

Fillimisht PS-PD në Komisionin e Medias kërkuan anulimin e votimit dhe përsëritjen e tij, me qëllim që Vasili të kalonte në “finale”, por thirrja e tyre ra në vesh të shurdhët.

Kjo bëri që të dyja palët polike të mobilizohen dhe të “shkërmoqin” Komisionin Drejtues, pasi nuk ua kishte dërguar deri në fund “amanetin”./Pamfleti

Lini një Përgjigje