Shtetet e Bashkuara ritheksojnë mbështetjen e tyre të palëkundur për zyrtarët e zbatimit të ligjit në Shqipëri, të cilët po luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar me guxim, si dhe janë gati të mbështesin përpjekjet e tyre...
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë reaguar ashpër pas publikimit të lajmit se ka pasur plan për vrasjen e prokuroreve Doloreza Musabelliu dhe Merita Selimi.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale ambasada shprehet se çdo tentativë për frikësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve është e papranueshme. Ambasada kërkon nga autoritetet te marrin masa që të garantojnë sigurinë e njerëzve të drejtësisë.
“Një sistem drejtësie që funksionon pa frikë dhe kërcënime është kërkesë legjitime e popullit shqiptar dhe Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara për kërcënimet për dhunë ndaj zyrtarëve të zbatimit të ligjit që po punojnë për ta bërë Shqipërinë të sigurt, të begatë dhe më demokratike. Hetuesit, prokurorët dhe gjyqtarët duhet të jenë në gjendje të kryejnë detyrat e tyre pa kërcenime apo kanosje. Shtetet e Bashkuara ritheksojnë mbështetjen e tyre të palëkundur për zyrtarët e zbatimit të ligjit në Shqipëri, të cilët po luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar me guxim, si dhe janë gati të mbështesin përpjekjet e tyre”, shprehet ambasada.
Rrëfimi i Artan (Marjus) Tafanit bëri që Prokuroria e Elbasanit të zbardhë 6 vrasje që kanë tronditur vendin, teksa janë duke u kryer hetime dhe për disa raste të tjera.
Grupi që drejtoi hetimet përbëhet nga prokurorët e hekurt Kreshnik Ajazi, Hektor Mushi dhe Artur Ismailukaj. Por në kuadër të rrëfimeve dhe hetimeve që ata kanë kryer, kanë zbuluar se Laert Haxhiu kishte shkuar deri aty sa të mendonte të ekzekutonte dy prokurore dhe një avokat.
"Pamfleti" ishte i pari që dha lajmin se prokurorët e Elbasanit kanë zbuluar se prokurorja e SPAK, Doloreza Musabelliu ishte futur në listë për t'u vrarë, së bashku me prokuroren e Lushnjes, Merita Selimi. Po ashtu ishte planifikuar dhe vrasja e avokatit nga Lushnja, Adriatik Guri (Doga).
Musabelliu më herët ka qenë Prokurore te Krimet e Rënda, ndërsa tani në SPAK. Ajo është prokurorja që hetoi masakrën e Lushnjes, ku u vranë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha më 11 tetor 2017 dhe u plagos Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares. Autor i kësaj masakre është Laert Haxhiu, i dënuar me 31-vite burg.
Ndërsa Merita Selimi ishte ajo e cila hetoi e para dosjen dhe më pas e transferoi në SPAK. Te dyja prokuroret janë marrë në mbrojtje nga policia.
Lini një Përgjigje