TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet14 Dhjetor 2023, 16:05

Pezullimi i paktit Rama-Meloni, kryetarja e Kushtetueses intervistë për mediat italiane: Deri në mars të 2024 do kemi marrë një vendim!  

Shkruar nga Pamfleti

Pezullimi i paktit Rama-Meloni, kryetarja e Kushtetueses intervistë

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj ka dhënë një deklaratë për gazetën italiane, Corriere dela Sera në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimit të marrëveshjes me Italinë për transferimin e emigrantëve nga Afrika në Shqipëri.

Ajo sqaroi se pezullimi erdhi si shkak i ankimimit të opozitës, po theksoi se kjo nuk do të thotë se marrëveshja nuk do të miratohet pas shqyrtimit dhe nëse nuk haset asnjë shkelje.

“Zakonisht nuk flas me shtypin, por e kuptoj që kjo çështje është e rëndësishme dhe delikate jo vetëm për ne, por edhe për Italinë dhe ndoshta është e drejtë të sqarohen pak gjërat”, tha Zaçaj, gjatë një bisede telefonike me Corriere.

Kryetare, të sqarojmë ndërkohë pyetjen: a i thotë Gjykata Kushtetuese “jo” marrëveshjes Romë-Tiranë?

Jo. Procesi që çon në ratifikimin e marrëveshjes është pezulluar pasi mbi një e katërta e deputetëve shqiptarë na kanë kërkuar të kontrollojmë kushtetutshmërinë ose jo të protokollit të nënshkruar mes dy vendeve. Ne kemi vlerësuar se ankesa i plotëson kriteret e pranueshmërisë dhe sipas rregullores sonë kjo sjell automatikisht ndërprerjen e procedurave parlamentare për ratifikimin. Por dua të sqaroj: ne nuk kemi hyrë në brendësi të protokollit të nënshkruar”, tha ajo. 

Çfarë kontestojnë tridhjetë deputetët?

Në thelb dy aspekte. E para: mosrespektimi i pretenduar i procedurës së negociatave dhe nënshkrimit. Sipas tyre, kjo lloj marrëveshje ka nevojë për autorizimin e presidentit pasi prek çështje territoriale. Shkurt, për ta nuk mund të jetë një marrëveshje mes qeverive, por mes shteteve”, tha Zaçaj.

Dhe aspekti i dytë?

"Sipas tyre, protokolli mund të çojë në shkeljen e të drejtave të njeriut", tha ajo. 

Pse nxitet pezullimi automatik i procesit parlamentar?

Sepse pas ratifikimit, Gjykata – sipas rregullave tona – nuk mund të kontrollojë më legjitimitetin ose jo të marrëveshjes. Dhe ankimi ngre dyshime për kushtetutshmërinë e protokollit”, u shpreh kryetarja e Kushtetueses.

A do të hyjë Gjykata në seancën e 18 janarit në themel të marrëveshjes Rama-Meloni?

Na kërkohet një gjë e tillë, duhet të shqyrtojmë në detaje protokollin për ato dy pika të ngritura nga një e katërta e Kuvendit të Shqipërisë. Por e përsëris përsëri: ne nuk kemi hyrë vërtet në këtë çështje”, u shpreh ai. 

Ka nga ata që i frikësohen lëvizjeve të opozitës për t’ju detyruar të shtyni vendimin?

Dy palët do të duhet të dërgojnë dokumentacionin brenda datës 4 janar 2024. Dhe nga dita e ankimimit (6 dhjetor 2023) kemi maksimum tre muaj për të marrë vendim. Në rastin konkret do të thotë se deri më 6 mars 2024, Gjykata duhet të thotë nëse marrëveshja është legjitime apo jo”, përfundoi Zaçaj. 

kushtetuesja marrëveshja meloni

Lini një Përgjigje