TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet30 Dhjetor 2024, 18:06

Përplasja për mandatin e Zaçajt, Sadushi: U konfirmova nga Kushtetuesja

Shkruar nga Pamfleti

Përplasja për mandatin e Zaçajt, Sadushi: U konfirmova nga

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi deklaroi se pavarësisht perceptimit, zgjedhja e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese nuk mund të ndikohet dhe se procesi mund të vëzhgohet nga të gjithë.

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi deklaroi të hënën gjatë një konference për shtyp se nuk kishte asnjë konflikt mes zgjedhjes së anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese dhe rolit të tij si kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për vitin 2025, ndërsa shtoi se i gjithë procesi mund të monitorohet.

Pas përplasjes për mandatin e ish-kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, Sadushi tha se ndjehej komod, pasi vendimarrja ishte konfirmuar sipas tij edhe nga Kushtetuesja.

I pyetur nga BIRN nëse ka marrë masa për të parandaluar perceptimin se ai mund të ndikojë në përzgjedhjen e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese, Sadushi tha se “nuk kishte asnjë lloj papajtueshmërie në shortimin dhe përzgjedhjen e tij si anëtar dhe kryetar i KED”.

“Perceptimi mund të ekzistojë. Mund të ketë dhe është e drejtë të ketë perceptim, por çdo gjë është e vëzhgueshme nga të gjithë. KED është organ kolegjial ku secili diskuton dhe vendos në mënyrë të pavarur. Po ashtu, kushdo mund të njihet me fjalën e secilit prej anëtarëve. Nuk besoj se krijon problematikë,” tha ai.

Mandati i kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj u bë temë debati publik muajin e fundit dhe shkaktoi polemika mes saj dhe kryetarit të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi. Ky i fundit këmbënguli se mandati i Zaçajt përfundonte në pranverë të vitit 2025 dhe hapi procedurat për përzgjedhjen e pasardhësit të saj duke shpallur vendin vakant.

Pasi u mblodh tre herë me radhë në seancë për të diskutuar mandatin e Zaçajt, Gjykata Kushtetuese la në fuqi vendimarrjen e kryetarit të Gjykatës së Lartë, ndonëse e gjeti procedurën e parregullt.

Sadushi tha të hënën se do të ndjente përgjegjësi para ligjit nëse nuk do të kishte vepruar për shpalljen e vendit vakant të Zaçajt.

“…veprova bazuar në ligj e Kushtetutë dhe ndihem komod se është konfirmuar nga vetë Gjykata Kushtetuese,” tha ai. Për procedurën lidhur me vakancën pas heqjes dorë të gjyqtares Elsa Toska, Sadushi tha se nuk mund të jepte mendim, pasi e ka dhënë Kuvendi. Ai theksoi se është domosdoshmëri ripërtëritja e Gjykatës Kushtetuese 1 herë në 3 vjet me 1/3-ën e anëtarëve.

Gjatë fjalës së tij, Sadushi ngriti si shqetësim për numrin e lartë të rekurseve që nuk kalojnë testin e pranueshmërisë përballë Gjykatës së Lartë. Sipas tij, nuk e kalojnë këtë test 74% e rekurseve në Kolegjin Civil, 79% në Kolegjin Administrativ dhe 87% në Kolegjin Penal. Sadushi vërejti se për këtë vit, në çështjet administrative, organet publike rezultojnë gjyqhumbëse në 59% të çështjeve. Ky raport rezulton i ndryshëm në fushën penale, ku prokuroria rezulton gjyqhumbëse në 27% të çështjeve, ndërsa individët rezultojnë në 73% të tyre.

Sadushi vërejti se moskalimi i testit të pranueshmërisë adreson shqetësimin për përfaqësimin, që kryejnë avokatët privatë, Avokatura e Shtetit dhe prokuroria. “Mënyra se si paraqiten rekurset është një problem tepër serioz për nivelin e përfaqësuesve, që lidhet me mosndjekjen në vijimësi të praktikës gjyqësore të Gjykatës së Lartë apo dhe me konfondimin në jo pak raste të një gjykate kasacionale me gjykatat e faktit”, deklaroi Sadushi dhe shtoi se nga procedura e seleksionimit të rekurseve që aplikon Kolegji Administrativ, vetëm gjatë vitit 2024 janë vlerësuar haptazi të pabazuara 35% e rekurseve të shqyrtuara. /BIRN

Lini një Përgjigje