
Fjala e fundit lidhur me dërgimin e refugjatëve në Gjadër i takon Gjykatës së BE-së...
Girogia Meloni ka fituar betejën e saj të parë sa i takon kampit të refugjatëve në Gjadër. Pas dy goditjeve që mori nga gjykata e Romës, sot ka ardhur një vendim që i ka kthyer buzëqeshjen.
Gjykata e Kasacionit në Itali i ka dhënë të drejtë kryeministres, për faktin se është në tagrin e qeverisë italiane, të vlerësojë si të sigurta apo jo, vendet nga ku vijnë emigrantë.
Për përcaktimin e vendeve të sigurta, “gjyqtari i konfirmimit, si garant i shqyrtimit të çdo rasti individual, për efektivitetin e të drejtës themelore për lirinë personale, nuk zëvendëson vlerësimin që, në përgjithësi, i përket vetëm ministrit të Punëve të Jashtme dhe ministrave të tjerë që marrin pjesë në këtë proces”, thekson vendimi.
Sipas “Corriere Della Sera”, kjo është ajo që shkruajnë gjyqtarët e Seksionit të Parë Civil të Gjykatës së Kasacionit në një “urdhër ndërmjetësues” në lidhje me ankesat e paraqitura nga qeveria kundër moskonfirmimeve fillestare për mbajtjen e emigrantëve në Shqipëri, të dhëna nga seksioni i emigracionit të Gjykatës së Romës më 18 tetor të kaluar.
Por duket se kjo është një fitore gjysmake. Kjo pasi Gjykata e Kasacionit, ka pezulluar çdo masë në pritje të vendimit të Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian.
“Në dialogun mes juridiksioneve, Gjykata e Kasacionit merr pjesë duke ofruar, në frymën e bashkëpunimit të sinqertë hipotezën e saj të punës, pa e shndërruar atë as në një vendim për ankesën dhe as në një parim ligjor që mund të orientojë zbatimet e ardhshme”, thekson vendimi. Tani fjala e fundit i takon Gjykatës Evropiane dhe ajo vendos nëse do të vijnë emigrantët në Gjadër apo jo.
Lini një Përgjigje