TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet19 Mars 2026, 14:32

Pedagogët e Arteve në protestë: Titujt akademikë vetëm në letër, asnjë rritje page deri tani

Shkruar nga Pamfleti
Pedagogët e Arteve në protestë: Titujt akademikë vetëm
Pedagogët e Universitetit të Arteve

Pedagogët e Universitetit të Arteve kanë ngritur shqetësimin se njohja e titujve të rinj akademikë, e miratuar që në qershor të vitit 2024, nuk është reflektuar në praktikë, duke mbetur sipas tyre vetëm një vendim formal.

Në një deklaratë për mediat këtë të enjte, ata theksuan se pavarësisht njohjes së titujve, nuk ka pasur asnjë ndryshim në pagesa apo në statusin e tyre administrativ.

“Që nga data 12 qershor 2024, këto vendime nuk janë zbatuar në mënyrë të plotë, sidomos në aspektin financiar dhe administrativ, duke bërë që pedagogët të vazhdojnë të trajtohen sipas statusit të mëparshëm.”, tha artisti Josif Gjipali, pedagog në Universitetin e Arteve.

Sipas pedagogëve, situata bëhet edhe më problematike për shkak të kërkesës për ndjekjen e doktoraturave, të cilat ata i konsiderojnë të kushtueshme dhe të papërshtatshme me profilin artistik të institucionit.

Ata theksojnë se kjo krijon një kontradiktë të qartë, pasi nga njëra anë njihen titujt bazuar në praktikën artistike, ndërsa nga ana tjetër kërkohet ndjekja e një modeli klasik akademik.

“Kjo ka krijuar një situatë kontradiktore, ku nga njëra anë njihen titujt në bazë të praktikës artistike, ndërsa nga ana tjetër kërkohet një model klasik akademik.”, vijoi Gjipali.

Pedagogët shprehen se prej më shumë se dy vitesh nuk kanë marrë një përgjigje të qartë nga institucionet përgjegjëse, duke e cilësuar këtë situatë të tejzgjatur dhe të papranueshme. Sipas tyre, kjo ndikon drejtpërdrejt në cilësinë akademike dhe funksionimin e Universitetit të Arteve.

Në mbështetje të tyre është rreshtuar edhe sindikata e pedagogëve.

“Mbështesim plotësisht kërkesat e tyre dhe kërkojmë ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse për zbatimin e këtyre vendimeve, pasi kjo është çështje thelbësore për vetë ekzistencën e Universitetit të Arteve.”, tha Sandër Kovaçi, kryetari i sindikatës.

Pedagogët paralajmërojnë se, në mungesë të një zgjidhjeje, nuk përjashtohet edhe bojkotimi i procesit mësimor.

Lini një Përgjigje