Banorët e Rrjollit kanë vijuar protestën e tyre kundër ndërtimit të resortit të oligarkut Bashkim Ulaj, duke u përballur edhe sot me forcat e policisë pranë kantierit të punimeve.
Protestuesit tentuan të afrohen drejt zonës së ndërtimit, por u ndaluan nga policia. Ata shprehen se toka u përket atyre dhe kundërshtojnë çdo ndërhyrje që synon t’ua marrë pronën.
"Kjo është toka jonë dhe nuk do të dorëzohemi. Policia na ka ofenduar. Kërkojmë vetëm drejtësi", tha një banore.
Banorët shprehen gjithashtu se toka është e tyre dhe se nuk do lejojnë t’ua marrin atë.
"Është toka jonë, s'lejojmë të na e marrin. Malësorët e mbrojnë tokën me gjak", deklaruan banorët, të cilët i kërkuan gjithashtu Fatmir Shpellzajt të paraqesë dokumentacionin, nëse pretendon pronësinë.
“Rezistenca do të vijojë deri kur të kemi drejtësi. Fatmir Shpellzaj meqënëse i paske certifikatat pse nuk i nxjerr. Ti nuk i ke, ke vetëm një alibi falso. Prokuroria e Shkodrës duhet të bëjë punën e vet për të parë se kujt është prona. Nëse në Rrjoll ndodh një fatkeqësi është faji i shtetit. Malësorët e mbrojnë tokën me gjak. Institucionet duhet të veprojnë për të mos ndodhur ndonjë fatkeqësi”, tha një banore tjetër teksa theksoi se do të vijojnë të qëndrojnë këtu.
Gjatë përplasjes, disa prej banorëve janë shoqëruar në polici. Sipas tyre, gjatë ndërhyrjes janë përdorur edhe fyerje nga efektivët e policisë.
Punimet për ndërtimin e “Blu Borgo”-s në një sipërfaqe prej 146 hektarësh, oligarku Bashkim Ulaj i nisi në fillim të shkurtit pasi mori lejen e ndërtimit. Projekti parashikon 33 struktura akomoduese dhe shërbimi, me objekte nga 3 deri në 10 kate mbi tokë dhe një kat nëntokë. Subjekti zhvillues është shoqëria “ABA Blue Borgo”, me statusin e investitorit strategjik.
Lini një Përgjigje