TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet19 Mars 2026, 10:45

Apeli në kolaps: Gjykata pranon se infrastruktura nuk i shërben qytetarëve

Shkruar nga Pamfleti

Gjykata e Apelit në Tiranë pranon zyrtarisht se funksionon në kushte të papërshtatshme, me mungesë infrastrukture dhe staf të pamjaftueshëm. Me mbi 45 mijë çështje në pritje dhe vetëm gjysmën e gjyqtarëve në detyrë, qytetarët përballen me vonesa të gjata dhe shërbime të ofruara jashtë standardeve.

Apeli në kolaps: Gjykata pranon se infrastruktura nuk i shërben
Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë

Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë po përballet me një situatë të rënduar funksionale, ku vetë institucioni pranon se kushtet aktuale nuk janë në përputhje me kërkesat e shërbimit ndaj qytetarëve.

Në një përgjigje zyrtare drejtuar “Asociacionit Kombëtar të Medias dhe Drejtësisë”, theksohet qartë se: “aktualisht kushtet infrastrukturore nuk i përgjigjen nevojave funksionale të Gjykatës dhe shërbimit ndaj qytetarëve”.

Kjo situatë vjen në një kohë kur Apeli funksionon si një gjykatë me juridiksion të përgjithshëm për të gjithë vendin, duke përballuar një volum të lartë çështjesh me kapacitete të kufizuara.

Gjykatë mori edhe një impakt negativ për shkak të vonesave të tejzgjatura të gjykimit të dosjeve penale dhe civile. Por ajo që i vuri vulën e dështimit kësaj gjykate dhe sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, ishte pikërisht vrasja në sallën e gjyqit të anëtarit të kësaj gjykate, gjyqtarit Astrit Kalaja.

Ngarkesë rekord dhe mungesë gjyqtarësh

Problematika më e theksuar lidhet me ngarkesën e dosjeve dhe mungesën e gjyqtarëve.

Sipas të dhënave zyrtare, në fund të vitit 2025 stoku i çështjeve të pa gjykuara ka arritur në 45,876, ndërsa “ngarkesa për çdo gjyqtar është mesatarisht rreth 1700 çështje”.

Në të njëjtën kohë, gjykata funksionon me vetëm gjysmën e trupës së saj. “Organika e Gjykatës… përbëhet nga 78 gjyqtarë, aktualisht ushtrojnë funksionin 39 gjyqtarë”, thuhet në dokument, duke evidentuar boshllëkun e madh në burime njerëzore.

Institucioni e lidh këtë situatë me proceset e emërimit dhe rivlerësimit në sistemin e drejtësisë, duke theksuar se plotësimi i vakancave është një proces në vijim.

Ndërkohë, infrastruktura mbetet një nga pikat më problematike. Gjykata pranon se disponon vetëm 8 salla gjyqi, ndërsa për shërbimin ndaj qytetarëve kushtet janë edhe më të kufizuara.

“Për shkak të mungesës së infrastrukturës, momentalisht zyra e informacionit shërben në ambientet rrethuese të godinës, me dy sportele me shërbim nga jashtë”, theksohet në përgjigje.

Po ashtu, dokumenti nënvizon mungesën e ambienteve të posaçme për takime konfidenciale: “në gjykatë nuk ekziston një ambient i posaçëm për takimin e avokatit me klientin e tij të arrestuar”.

Këto elementë tregojnë një realitet ku shërbimi ndaj qytetarëve zhvillohet në kushte të improvizuara dhe larg standardeve të kërkuara.

Shërbim i kufizuar për qytetarët

Pavarësisht kësaj tabloje, Gjykata e Apelit thekson se po ndërmerren masa për përmirësimin e situatës. “Institucionet përgjegjëse kanë vijuar procedurat për plotësimin gradual të vakancave… me qëllim garantimin e funksionimit normal të veprimtarisë gjyqësore”, thuhet në dokument.

Megjithatë, mungesa e afateve konkrete dhe niveli i lartë i çështjeve në pritje tregojnë se kriza mbetet e thellë dhe me ndikim të drejtpërdrejtë tek qytetarët, të cilët vijojnë të përballen me vonesa të gjata në marrjen e drejtësisë.



apeli në kolaps

Dokumenta bashkëngjitur

1 Komente

  1. L
    Latifi

    Reforma e palloshit qe do te rregullonte sistemin e drejtesise, ai eshte i mire per te mashtruar popullin injorant, por jo per te rregulluar sistemin.

    Lini një Përgjigje